– Dëshmorët Flori e Lauri në Dardani –
Binjakë, në një epokë të paqartë, ikën nga Bizanti pas martirizimit të dy të krishterëve gurgdhendës, të cilët u kishin mësuar mjeshtërinë e tyre. Shkuan në Iliri (në qytetin Ulpiana) dhe punuan te qeveritari i vendit, i cili më pas i dërgoi te një princ. Ai u dha para dhe skica për të ngritur një tempull të gurtë idhujtarie. Ndërkaq paratë i dhanë si lëmoshë.
Natën luteshin, ndërsa ditën punonin. I ndihmonte një engjëll, kështu godina mbaroi shpejt. Ndërkohë u tërhoq në besimin e vërtetë edhe prifti i perëndive të rreme, i biri i të cilit ishte tashmë i krishterë, pasi të dy vëllezërit i kishin hapur syrin e tij të verbuar.
Më pas shenjtorët mblodhën të varfrit që kishin përdëllyer dhe, pasi i lidhën me litar idhujt, i tërhoqën të gjithë poshtë. Në vazhdim inaguruan në mënyrë festive dhe me drita të shumta tempullin dhe ia dedikuan Shpëtimtarit Jisu Krisht, duke psalur, siç thuhet, troparin që duhej “Lavdi ty, o Krisht Perëndi, mburrja e apostujve…”
Princi, sapo e mori vesh, urdhëroi dhe të tjerët u dogjën në furrë, ndërsa Flori (latinisht do të thotë: i lulëzuar) dhe Lauri (latinisht do të thotë: i dafintë) u lidhën në rrota qerreje dhe u rrahën. Më pas u dërguan te qeveritari, i cili i mbylli në një pus të tharë, brenda të cilit mbaruan duke u lutur për besimtarët.
Pas shumë vjetësh lipsanet e shenjta u vendosën në këllëf, rridhnin miro dhe bënin mrekulli në mënyra të ndryshme në gjithë ata që vinin. Dëshmohet se u vendosën në Manastirin e famshëm të të Gjithëpushtetshmit (Pandokratorit) në Konstandinopojë.
– Oshënar Sofroni i Malit të Shenjtë –
Oshënar Sofroni lindi në shek. XVIII në një familje besimtare të Epirit dhe që në rini u dallua për virtytin dhe frikën e Perëndisë. U martua me forcë nga prindërit, por e la gruan e tij të re në çastin kur do të hynin në dhomën e tyre dhe shkoi në Malin e Shenjtë, Kopshtin e të së Tërëshenjtës Mari. Fillimisht u bë nxënës i një jerondi të skitit të shën Anës, që e veshi me Skimën Engjëllore. Më pas jetoi për 50 vite në një kasolle të thjeshtë, me përpjekje të jashtëzakonshme asketike dhe duke iu përkustuar lutjes së pandërprerë.
U hirotonis prift dhe kryente Misteret e Shenjta me përulësi. Kështu, mbërriti në një shkallë të lartë papasionshmërie, saqë dukej si një engjëll i veshur me mish. Ai ishte i thjeshtë, i ëmbël, plotë dashuri dhe urtësi, duke qenë modeli i të gjithë murgjve të skitit dhe të Malit të Shenjtë në tërësi. Pasi i shërbeu Perëndisë në këtë mënyrë kaq të denjë, shën Sofroni fjeti në paqe.