– Transferimi i peshqirit të Zotit Krisht –

Kur kryetari i Edesës, i quajtur Avgar, dëgjoi për famën e Jisuit dhe mrekullitë e bëra prej Tij, dëshironte që të shkonte në Jerusalem për të parë Zotin me sytë e tij. Por kjo ishte e pamundur për shkak të sëmundjes së rëndë që e mundonte. Atëherë Avgari, nëpërmjet një burri të quajtur Anania, i dërgoi një letër Krishtit në të cilën i lutej të shkonte e ta shëronte, pasi kishte dëgjuar për mrekullitë e Tij. Gjithashtu ai e porositi Ananinë që t’i përshkruante lartësinë e trupit, ngjyrën e flokëve dhe fytyrën e Tij të shenjtë, sepse, si piktor që ishte, donte të bënte me përpikërinë më të madhe një ikonë të Tij.
Anania, pasi arriti në Jerusalem, i dha Zotit letrën e dërguar nga Avgari dhe vështroi me kujdes fytyrën e Tij, por më pas hipi mbi një gur të lartë, sepse ishte e pamundur ta dallonte qartë për shkak të turmës që e rrethonte. Megjithatë ishte e pamundur të pikturonte fytyrën e Tij, pasi ajo ndryshonte pamje. Atëherë Krishti, i cili njeh të fshehtat e secilit, duke parë qëllimin e përzemërt të Ananisë, kërkoi ujë për të larë fytyrën dhe një peshqir për t’u fshirë. Dhe për çudi, mbi peshqir mbeti ikona e fytyrës së Tij të shenjtë. Duke ia dhënë Ananisë, i tha: “Jepja këtë atij që të dërgoi”.
Gjithashtu i shkroi një letër Avgarit në të cilën thuhej: “ I lumur je ti Avgar, sepse, pa më parë, besove tek unë. Përsa i përket asaj që më kërkove, që të vij te ti, duhet të dish se më parë duhet të mbaroj veprat për të cilat më dërgoi në botë Ati im dhe më pas do të ngjitem në qiell tek Ai që më dërgoi. Do të dërgoj te ti një nxënësin tim, Tadeun, i cili do të shërojë sëmundjen tënde dhe do të të dhurojë paqen.”
Pasi Anania i dërgoi ikonën e shenjtë Avgarit, ky i fundit ra në gjunjë dhe u lut para saj me lot të nxehtë. Mrekullia nuk vonoi të bëhej. Avgari u shërua nga sëmundja e tij e keqe e lebrozës, veçse në ballë i mbeti një shenjë e vogël nga kjo sëmundje, por edhe kjo iu zhduk pas pagëzimit të tij nga Tadeu, i cili shkoi në Edesë sipas premtimit të Zotit. Avgari e vendosi ikonën e shenjtë të Zotit mbi portën e qytetit dhe urdhëroi që kushdo që hynte në Edesë të nderonte së pari ikonën e shenjtë.
Ky urdhër mbeti në fuqi deri në fund të jetës së Avgarit dhe djalit të tij. Por fatkeqësisht nipi i tij u kthye në fenë pagane dhe deshi që, në vend të ikonës, të vendosej një statujë. Duke mësuar këtë nëpërmjet zbulimit hyjnor, episkopi i Edesës, tregoi kujdesin e duhur. Duke qenë se pjesa e sipërme e portës ishte në formë kubeje, episkopi ndezi një kandil përpara ikonës dhe vendosi përpara saj një tjegull.
Më pas lartësoi murin në mënyrë kaq uniforme, saqë asgjë nuk kuptohej. Kështu nuk mundi të realizohej qëllimi i keq i nipit të Avgarit. Që atëherë kaloi aq shumë kohë sa askush nuk e mbante mend se ku ishte fshehur ikona. Rreth vitit 615, mbreti i persëve sulmoi qytetet e Azisë dhe arriti deri në Edesë, duke shkaktuar tmerr dhe panik te banorët.
Pas një zbulimi hyjnor, episkop Evlavi gjeti ikonën e cila ishte e paprishur dhe kandilin që ishte akoma i ndezur, por edhe mbi copën e tjegullës, që ishte vënë përpara peshqirit të shenjtë, ishte stampuar ikona e Krishtit, e njëjtë me atë të peshqirit. Pasi mori ikonën e shenjtë të Zotit, episkopi shkoi në atë pjesë të qytetit ku ndodheshin persët. Në zjarrin e përgatitur nga luftëtarët e Edesës, episkopi hodhi vaj nga kandili. U bë një flakë kaq e madhe, saqë i zhduku të gjithë persët.
Ishte dëshirë e Perëndisë që peshqiri i Zotit Krisht të vendosej në Konstandinopojë. Mbreti i atëhershëm, Romanoi, bëri ç’ishte e mundur për ta realizuar këtë. Vlen të përmendet se shumë mrekulli u bënë nëpërmjet ikonës gjatë udhëtimit për në Konstandinopojë.

* * * *

– Dëshmor Diomedi –

Diomedi vinte nga një familje e shquar e krishterë e Tarsit, në Kiliki. Ai studioi artin e mjekësisë dhe u ofronte bashkëqytetarëve jo vetëm shërimin e sëmundjeve trupore, por edhe shpirtërore, duke iu predikuar për Krishtin.
Në fillimet e mbretërimit të Dioklecianit dhe Maksimianit (nga viti 288), ai u vendos në Nikea të Bitinisë. Me gjithë afërsinë me Nikomedinë, kryeqytetin ku banonte tirani, vazhdonte të pohonte fuqinë e besimit të krishterë. Ai fitoi miqësinë e komandantit të burgut publik para se të fillonte persekutimi dhe, me guximin e marrë nga dashuria për Krishtin, që dëbon çdo frikë (1 Jn.4:18), e duke pasur parasysh fjalët e Zotit: “Isha në burg dhe erdhët të më shihni” (Matth.25:36), u bënte vizita në burg martirëve dhe pohuesve të besimit. U mjekonte plagët, i lante me ujë të nxehtë dhe mbi të gjitha u ofronte ngushëllimin e besimit, duke i nxitur të duronin ata që kishin pësuar tortura e duke u dhënë kurajë atyre që do të dilnin para gjykatësit.
E denoncuan tek perandori dhe e arrestuan. Gjatë rrugës shenjtori gëzohej që u gjykua i denjë për të vuajtur për Krishtin dhe e luste Zotin që ta ndihmonte në betejën e tij. Kur mbërritën para mureve të qytetit, u kërkoi rojave ta lejonin të largohej pak më tutje dhe ata pranuan, duke menduar se do të kryente nevojat personale. Diomedi shkoi pak më tej, u ul në gjunjë të lutej dhe ia dorëzoi atje shpirtin Perëndisë, duke marrë kurorën e martirizimit, para se të kryente betejën. Rojat nisën ta kërkojnë dhe e gjetën duke u lutur. Në fillim u shqetësuan, pastaj ia prenë kokën për t’ia çuar perandorit, që të mos dyshonin se e kishin lënë martirin të arratisej. Por sapo i prenë kokën, u verbuan. Me vështirësi të madhe hynë në Nikomedi dhe ia dorëzuan kryet perandorit, që u inatos dhe i urdhëroi t’i sillnin edhe trupin e martirit. Kur u kthyen atje, ia bashkuan kokën trupit dhe sakaq rifituan shikimin. Të ndriçuar nga drita e besimit, në të njëjtën kohë me fitimin e të parit, ata braktisën idhujtarinë dhe pohuan publikisht mrekullinë, duke kthyer një numër të madh paganësh në besën e vërtetë.