Ungjilli – Mateu 16:24-28.

Atëherë Jisui u tha nxënësve të tij: Kush të dojë të vijë pas meje, le të mohojë veten e tij, edhe le të ngrerë kryqin e tij, edhe le të vijë pas meje. Sepse ai që të dojë të shpëtojë jetën e tij, do ta humbasë atë; edhe ai që të humbasë jetën e tij për shkakun tim, do ta gjejë atë.

Sepse ç’dobi ka njeriu, në fitoftë tërë botën, e të dëmtojë shpirtin e tij? Apo ç’do të japë njeriu në këmbim të shpirtit të tij? Sepse ka për të ardhur i Biri i njeriut në lavdinë e Atit të tij bashkë me engjëjt e tij, edhe atëherë do t’ia shpërblejë gjithë secilit sipas punës së tij.

Me të vërtetë po ju them juve se janë ca nga ata që rrinë këtu, të cilët nuk do të ngjërojnë vdekje, deri sa të shohin të Birin e njeriut duke ardhur në mbretërinë e tij.