– Patriark Nifoni, vllami i Skënderbeut –
Nifoni lindi në More të Peloponezit në fund të shek.XIV. I ati i tij, i quajtur Manuel, ishte një fisnik shqiptar i ikur nga Dalmacia, ndërsa nëna e tij, Maria, ishte një fisnike nga Morea. Prindërit e Nifonit ishin të krishterë të devotshëm dhe të njohur për virtytet e tyre. Në pagëzim Nifonit iu dha emri Nikolla. Në shkollë mësoi shkrim e këndim dhe njohuri rreth historisë dhe Shkrimit të Shenjtë.
Më vonë shkoi pranë një asketi të quajtur Andon, i cili, nga këmbëngulja e të riut, e vuri në një qeli aty afër dhe i caktoi rregullin e lutjes për fillestarët. Më pas, duke parë përkushtimin e tij, asketi e bëri murg me emrin Nifon. Pas pak kohe asketi ndërroi jetë, por Perëndia nuk e braktisi shërbëtorin e tij.
Nifoni dëgjoi se në qytetin e Nartës ishte një mësues i madh shpirtëror, i quajtur Zaharia, i cili kishte ardhur nga Mali i Shenjtë. Zaharia filloi ta mësonte Nifonin për rregullat e jetës murgjërore të Malit Athos dhe për doktrinën e besës orthodhokse. Shumë shpejt fama e shenjtit filloi të përhapej kudo. Pas vdekjes së mitropolitit të Selanikut, Parthenit, episkopët dhe i gjithë kleri vendosën të zgjedhin si bari të tyre Nifonin e urtë. Pas dy vjetësh ai u ftua në Konstandinopojë ku u prit me nderime të mëdha. Pas vdekjes së patriarkut, të gjithë kërkuan që vendin e tij ta zinte Nifoni. Edhe në fronin patriarkal shenjti e ruajti përulësinë.
Me shenjtërinë dhe fjalët e tij, shumë mëkatarë u kthyen përsëri në gjirin e Kishës. Kjo ndezi zemërimin e Djallit. Ata që nuk e donin, u përpoqën ta largonin, por pas dy vjetësh e kërkuan përsëri dhe Nifoni u gjend për herë të dytë në fronin e patriarkut. Por Djalli nuk mund ta duronte praninë e tij dhe gjeti një mënyrë tjetër për ta përzënë. E arrestuan dhe e dërguan në Adrianopojë. Ushtarët e keqtrajtuan, por Perëndia i qëndroi gjithnjë pranë.
Me ftesën e Vojvodës Radul, Nifoni shkoi në Vllahi ku e pritën me të gjitha nderimet. Për disa kohë ndaloi në Maqedoni dhe pastaj shkoi në Malin e Shenjtë, në manastirin e Vatopedit, ku u prit me gëzim nga murgjit. Ai u largua fshehurazi prej andej dhe shkoi e u paraqit si i panjohur në Manastirin e Dionisit, ku ishte një rregull se çdo kanditat që paraqitej për t’u bërë murg, duhej të pranonte që të bënte punë të rëndomta për sa kohë shihej e arsyeshme nga igumeni. Kështu Nifoni, si i panjohur, iu nënshtrua rregullit. Ai që ishte zgjedhur dy herë patriark, tani ruante mushkat në mal, priste dru dhe bënte çdo lloj pune të rëndë. Por, një mrekulli e shën Joan Pagëzorit bëri që të zbulohej e vërteta.
Duke ndriçuar me mësimet, shembullin dhe mrekullitë e tij, Nifoni iu afrua të 90-ve.
Para se të ndërronte jetë, ai i thirri të gjithë vëllezërit dhe i këshilloi të ndiqnin me vigjilencë rregullat tradicionale të jetës murgjërore.
Shën Nifoni fjeti në 11 gusht të vitit 1508. Arka e lipsanit të tij u kthye në një burim të pareshtur shërimesh.