– Ksisti i Romës. Laurenti Kryedhjak. –
Shën Ksisti ishte grek nga origjina, dhe u vendos në Romë në kohën e mbretërimit të perandorit Valerian. Fillimisht perandori ishte dashamirës me të krishterët, por kur ra nën influencën e magëve dhe yshtësve egjiptianë, shpalli një edikt ku ndalonte ushtrimin publik të Krishterimit. I urdhëroi të gjithë nëpunësit t’u sakrifikonin perëndive. Një prej viktimave të para të këtij persekutimi ishte shën Stefani, papa i Romës. Pas tij zgjodhën si papë të ri Ksistin.
Persekutimi u intensifikua edhe më shumë dhe u nxor një urdhër sipas të cilëve episkopët, priftërinjtë dhe dhjakonët duhet të ekzekutoheshin edhe me një konstatim të thjeshtë të identitetit të tyre të krishterë, kurse laikët duhet të arrestoheshin dhe të çoheshin në punë të detyruar. Shën Ksistin e arrestuan dhe e burgosën.
Rrugës për në burg u ndesh me shën Laurentin, kryedhjakun, i cili i tha me lot: “Atë, ku po shkon, pa birin tënd? Çfarë sakrifice po bëhesh gati të kremtosh pa dhjakun tënd? A mos vallë do të refuzosh atë që ke pranuar në Misteret e Shenjta, që të jetë shok me ty në derdhjen e gjakut?”. Episkopi iu përgjigj: “Jo biri im, nuk po të braktis, por ti do të bësh përpjekje më të mëdha se këto. Ne, si pleq që jemi, na kanë futur në një betejë më të vogël. Por për ty, që je djalë i ri i fuqishëm, janë bërë gati triumfe më të mëdha. Mos qaj. Në tri ditë dhjaku do të ndjekë priftin”. Dhe para se t’i jepte puthjen e paqes, i besoi përkudesjen e administrimit të pronave të Kishës në emër të tij. Laurenti e kreu detyrën, duke ua shpërndarë ato klerikëve dhe të varfërve. Në malin Koelius takoi një vejushë, Kiriakinë, që fshihte shumë të krishterë në shtëpinë e saj. Gjatë natës, u solli atyre para dhe rroba dhe pastaj shkoi në shtëpi të ndryshme, duke shëruar të sëmurët dhe duke u larë këmbët besnikëve, në imitim të Zotit.
Papa Ksisti u dënua me prerje koke, që do të ekzekutohej në rrugën Apia. Shën Laurenti shkoi atje dhe thirri: “Atë i shenjtë, mos më braktis, sepse i shpërndava thesaret që më besove”. Ushtarët kur dëgjuan për thesare e arrestuan menjëherë Laurentin dhe e çuan tek tribuni Parthen, që lajmëroi perandorin. E futën në burg, ku dhjakoni shëroi me anë të lutjes dhe konvertoi një të verbër, që e quanin Lucilus. Kur dëgjuan lajmin, shumë të verbër shkuan burg dhe u shëruan prej shenjtorit.
Laurenti u thirr nga Valeriani, i cili e urdhëroi t’i dorëzonte thesaret. Për këtë, Laurenti i kërkoi perandorit t’i sillte shumë karroca. Laurenti mblodhi të verbër, të çalë, të sëmurë dhe të varfër të çdo lloji, i hipi në karrocë dhe i çoi në pallat, duke thënë: “Ja thesaret e përjetshme të Kishës, që nuk pakësohen dhe që rriten gjithnjë, që ndodhen afër çdo njeriu dhe tek të gjithë”. Valeriani i inatosur e urdhëroi t’u sakrifikonte idhujve, por pa rezultat. Laurenti iu përgjigj se ai nuk do të mohonte Perëndinë e vërtetë, Krijuesin e gjithësisë, për hir të idhujve të demonëve. E çuan në burg dhe e torturuan. Pas një marrje të dytë në pyetje i ngulën tehe thikash të skuqura në zjarr dhe e rrahën me kamxhik, rripat e të cilit ishin lyer me plumb e me zinxhirë me maja si grepa. Kur pa durimin e tij të madh, Romani, një ushtar romak deklaroi se ishte tashmë i krishterë, dhe për këtë e ekzekutuan në vend.
Perandori urdhëroi që shenjtorit t’i thyheshin nofullat me gurë, pastaj ta zhvishnin dhe ta shtrinin mbi një krevat hekuri të vënë mbi thëngjij. E urdhëroi edhe një herë të fundit t’u sakrifikonte idhujve, por më kot. Kur xhelatët po mbanin ndezur zjarrin, ai i tha tiranit: “Mëso, o fatkeq, se ky zjarr më sjell vetëm freski, por ty dënimin e përjetshëm. Tani që jam pjekur nga njëra anë, më kthe edhe nga ana tjetër!”. Kur e kthyen në anën tjetër ai tha edhe një lutje të fundit: “Të falënderoj, o Zot Jisu Krisht, sepse u bëra i denjë të kapërcej dyert e Mbretërisë”. Pastaj dha shpirt.