“NË PUNË TË JENI TË PAPËRTUESHËM, NË SHPIRT TË NXEHTË; ZOTIT T’I SHËRBENI”.
Me këto fjalë të apostull Pavlit, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë iu drejtua sot, më 2 gusht 2021 klerikëve dhe besimtarëve të mbledhur në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, me rastin e 29-vjetorit të fronëzimit.
Siç kishte theksuar pak çaste më parë Mitropoliti i Korçës, Hirësi Joani, duke shprehur falënderimet dhe mirënjohjen ndaj Fortlumturisë së Tij të gjithë popullit besimtar orthodhoks, duhej dashuria e madhe dhe vizioni i Kryepiskopit për të bërë realitet ringritjen nga gërmadhat të Kishës Orthodhokse në Shqipëri. Në këto fjalë përmblidhet në fakt rrugëtimi thuajse 30-vjeçar i Kryepiskopit në vendin tonë.
Sikundër është bërë traditë çdo vit, më 2 gusht, Kisha jonë kujton momentin historik të Fronëzimit të Kryepiskopit Anastas. Ky kremtim vjen pas kujtimit të zgjedhjes së Fortlumturisë së Tij në krye të Kishës sonë nga Patriarkana Ekumenike e Konstandinopojës dhe 30-vjetorit të ardhjes si Ekzark Patriarkal, për të parë se çfarë kishte mbetur pas shkatërrimit komunist ateist. Me këtë rast, sot u krye Liturgjia Hyjnore panegjirike Sinodike. Nën kryesimin e Kryepiskopit Anastas bashkëmeshuan Hirësitë e Tyre, Mitropoliti i Korçës, Joani; Mitropoliti i Gjirokastrës, Dhimitri; Mitropoliti i Apollonisë, Nikolla; Mitropoliti i Elbasanit, Andoni; Mitropoliti i Amantias, Nathanaili dhe Episkopi i Bylisit, Asti, si dhe klerikë nga Kryepiskopata dhe Mitropolitë.
Ishte mjaft emocionuese, kur në vend të predikimit u lexua për besimtarët e pranishëm teksti i plotë i Fjalës së Kryepiskopit Anastas në ceremoninë e Fronëzimit. Kjo nuk qe thjesht rikujtesë, por edhe një dëshmi se të gjitha ato që parashikoi Fortlumturia e Tij atë ditë, jo vetëm janë realitet, por u tejkaluan. Koherenca e fjalës me veprën në personalitetin e Kryepiskopit provohet qoftë edhe nëpërmjet këtij ballafaqimi të thjeshtë me fjalimin e Fronëzimit. Në të Kryepiskopi thekson me forcë se “Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë përbën para të gjithave bekim për vendin në të cilin lëviz. Lulëzimi dhe zhvillimi i përgjithshëm i veprimtarisë së saj, do të ndikojë në mënyrë vendimtare në rimëkëmbjen e të gjithë vendit.”
Në fund të Liturgjisë, në emër të Sinodit të Shenjtë përshëndeti Mitropoliti i Korçës, Joani, duke theksuar se e gjithë grigja e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, veçanërisht e bekuar nga Hiri i Perëndisë me dhuratën e ringjalljes shpirtërore dhe ringritjes së saj nga rrënojat, i mbetet mirënjohëse Kryepiskopit Anastas, sepse pranoi sfidën e misionit që dukej i pamundur, duroi duke jetuar dhimbjen e popullit për 30 vjet dhe me mirëkuptim vazhdon të hapë perspektiva të reja.
Kryepiskopi Anastas, pasi falënderoi dhe kujtoi rrugën e ndjekur, ritheksoi se motoja e besimtarit orthodhoks, dje, sot dhe nesër mbetet falja. Në një reflektim të tillë nxiti të pranishmit për t’u thelluar në besim, duke kontribuuar në përparimin e Kishës, në kohezionin e shoqërisë dhe mbarëvajtjen e vendit.