– Maria Magdalena, miroprurëse –
Ishte nga fshati Magdala, afër Gjenisaretit. Bënte pjesë në grupin e grave që ishin shëruar nga Krishti dhe E ndoqën pas nëpër udhëtimet e Tij për të përhapur Ungjillin, duke i shërbyer Atij nga pasuria e tyre (Mt.27:55-56; Mk.15:40-41). Maria ishte çliruar nga shtatë demonë (Llk.8:1-3; Mk.16:9).
E pranishme në kryqëzimin dhe varrosjen e Jisuit, vërejti me kujdes vendin e Varrit për ta gjetur ditën tjetër, kur, pas pushimit të pashkelur të së shtunës, do të vinte për të lyer me aromë trupin e shenjtë (Mt.27:55-56, 61; Jn.19:25; Mk.15:40-47).
Vazhdimi është disi i paqartë. Sipas të gjitha gjasave, gratë miroprurëse shkonin pranë Varrit në orë të ndryshme, herë veç e veç, herë në grupe të vogla. Maria kishte nderin të shikonte e para të Ngjallurin në të gdhirë të së dielës së parë. E mori për kopshtar derisa i njohu zërin, kur Ai e thirri në emër.
E porositi të përhapte tek apostujt lajmin e mirë të Ngjalljes. Dhe e kreu porosinë dhe kështu u bë apostulle e tyre (Jn.20:1-18; Mk:16.9-10). Gjithashtu, së bashku me gra të tjera, mori edhe një tjetër porosi gjatë Ngjalljes (Mt.28:1-11; Mk.16:1-7; Llk. 24.1-10).
Përputhja e saj me gruan mëkatare që leu me miro këmbët e Zotit (Llk.7:36-50) konsiderohet krejt e pabazë, ashtu si rrëfimi se gjoja ajo shkoi në Romë dhe arriti që të dënohej nga Pilati.
Sipas Sinaksarit, prindërit e saj ishin Siri dhe Eukaristia, zyrtarë dhe të pasur, ndërsa vetë ajo, e bukur, gojëtare dhe mrekullibërëse. Veproi në Francë, Itali, Egjipt, Fenikë, Siri dhe Azi të Vogël. Fjeti në Efes, ku qëndroi me Joan Theologun (26 shtator).
Më 4 maj kremtohet transferimi i lipsaneve të Maria Magdalenës dhe të Llazarit në vitin 890 nga perandori Leon VI (886-912) në Manastirin e Shën Llazarit që kishte ndërtuar në atë kohë. Miroprurësja kremtohet së bashku me gratë e tjera miroprurëse të dielën e tretë të Pashkës.
* * * * *
– Shën Markela në Hios –
Kjo shqerrë e shenjtë e Krishtit vinte nga një fshat i ishullit të Hios. Nëna i kishte vdekur, ndaj dhe u rrit nga babai. Ndërsa rritej në moshë, rritej edhe në virtyt, në mënyrë të tillë sa trupi i shkëlqente nga pastërtia e shpirtit.
Djalli e kishte zili për virtytet e saj, prandaj e sulmoi me mendime të turpshme, por shenjtorja i largonte ato me fuqinë e Kryqit. Atëherë, princi i errësirës u kthye nga babai i saj dhe provokoi tek ky njeri besëpakë dëshirë trupore ndaj vajzës. Pasi i lejoi në shpirt mendimet e këqija, filloi të joshte vajzën e tij. E turbulluar nga kjo paturpësi, shenjtorja u largua nga fshati dhe shkoi në mal. Kjo e egërsoi më shumë pasionin e tij, saqë shkoi ta kërkonte mal më mal. E lumura duke parë babanë e vet t’i afrohej, shkoi drejt detit dhe u fsheh në një ferrë, por nuk mundi t’i shpëtonte vëmendjes së të atit, i cili pasi nuk mundi dot të hynte në gëmushë, i vuri zjarrin.
Markela u fsheh në një vend tjetër dhe vraponte përgjatë bregut, nëpër shkëmbinj. Si nuk mundi dot ta kapte, e qëlloi me një shigjetë që e plagosi të lumurën, por kjo nuk e ndali vrapin e saj. Kur pa se forcat po i shteronin, iu lut Zotit që t’i vinte në ndihmë. Kështu, Zoti bëri të thërrmohej një shkëmb për të mbrojtur shenjtoren. Kur i ati mbërriti në atë vend, nuk e tërhoqi dot nga shkëmbi, fillimisht i preu gjinjtë e më pas kokën dhe ia hodhi në det, duke i hapur kështu portat e oborrit qiellor mes virgjëreshave të urta.
Në shkëmbin ku u strehua shenjtorja, buron ujë i pastër me vlera shëruese, i cili i mbulon gurët me një cipë të kuqe, të quajtur “gjaku i shenjtë” për banorët e ishullit. Ata i mbledhin këta gurë dhe pasi i pastrojnë, i vendosin në vazo dhe i përdorin për sëmundje të ndryshme. Shenjtorja u është shfaqur shumë njerëzve të sëmurë, veshur me rroba murgërore, sikur del nga deti. Në vendin e ferrës është ndërtuar një kishë për nder të saj.