– Veronika, gjakrrjedhësja –
Shën Veronika ishte nga Qesaria e Filipisë. U shërua nga Shpëtimtari ynë Jisu Krisht nga një fluks gjaku që e mundonte prej shumë vitesh (Mat.9:20). Si dëshmi të veprimit të hirit, ajo bëri një statujë bronzi që paraqiste Krishtin duke shtrirë dorën te një grua e gjunjëzuar para Tij.
Në këmbët e saj, ku mund të lexojmë edhe mbishkrimin: “Perëndisë, Shpëtimtarit të botës”, mbiu një bimë e cila shëronte të sëmurë. Këtë statujë e vendosi përpara shtëpisë së saj me qëllim që njerëzit të kujtonin Perëndinë. Pasi jetoi një jetë të pëlqyeshme te Zoti, fjeti në paqe.
Sipas traditës, ajo ishte gruaja që i fshiu fytyrën Krishtit, kur Ai ishte duke ecur me kryqin në Golgota. Në peshqirin e saj mbeti Fytyra e Shenjtë e Shpëtimtarit. Veronika në greqisht do të thotë (vera ikona) ikonë e vërtetë. Ajo është mbrojtësja e lavantierëve dhe e fotografëve.
* * * * *
– Oshënar Pais Agjioriti –
Shën Paisi. emri i mëparshëm i të cilit (në botë) ishte Arsen Eznepidi, lindi në Farasa të Kapadokisë më 25 korrik 1924. Erdhi në Greqi në kohën kur u shkëmbyen popullsitë dhe u rrit në Konicë.
Nga mosha e fëmijërisë jetonte në mënyrë asketike. Kishte si frymëzim jetët e shenjtorëve, betejat e të cilëve përpiqej t’i imitonte me zell të madh dhe korrektesë të admirueshme. Kishte shumë vullnet për t’u lutur me lutje të pandërprerë, dhe kultivonte në të njëjtën kohë përulësinë dhe dashurinë. Mësoi zanatin e marangozit, për të imituar Krishtin edhe në këtë gjë.
Në ushtri shërbeu përgjatë Luftës Civile për 3 vjet e gjysmë si ndërlidhës, duke bërë edhe aty një jetë asketike. Në luftime u dallua shumë për trimëri, vetësakrifikim, moral dhe për dhuratat e tij shpirtërore. Pasi shleu detyrimin ndaj atdheut, ndoqi jetën murgërore, të cilën e dëshironte prej moshës së fëmijërisë. Nga koha kur ishte laik, kishte përvoja shpirtërore, por edhe në jetën murgërore dashamirësia e Krishtit, e të Tërëshenjtës dhe e shenjtorëve arriti majat më të larta. Asketizoi në Malin e Shenjtë, Në Sina, në manastirin e Stomiut në Konicë.
Jetoi pa bujë, e dorëzoi veten tek Perëndia dhe Perëndia e shfaqi dhe ia dhuroi të gjithë botës. Ai udhëhoqi, ngushëlloi, shëroi, prehu mijëra njerëz që i shkonin pranë. Shpirti i tij ishte i shenjtëruar dhe plot me dashuri hyjnore dhe figura e tij asketike rrezatonte hir hyjnor. Gjatë gjithë ditës, i palodhur, mblidhte dhimbjen njerëzore dhe shpërndante ngushëllim hyjnor.
Pas dhimbjeve të mëdha që, siç pohon vetë, e ndihmuan aq sa nuk e ndihmuan përpjekjet asketike gjatë gjithë jetës, u preh në Zotin më 12 korrik të vitit 1994, në manastirin e Shën Joan Theologut në Suroti të Selanikut ku dhe u varros, pranë kishës së Shën Arsenit të Kapadhoqisë.