Zyra Diakonia Agapes (Shërbimi i Dashurisë) në ndihmë të të kthyerve nga emigracioni.

Diakonia Agapes (Shërbimi i Dashurisë), është Zyra sociale, zhvilluese dhe e emergjencës e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, e themeluar në vitin 1992. Kohët e fundit ajo ka zhvilluar një sërë programesh në disa zona të vendit për të riintegruar në shoqëri personat e kthyer nga emigracioni. Programi quhet RE-IN-VEST dhe po zbatohet faza e dytë e tij.
Kështu, më 30 qershor 2021, në kuadër të projektit, 32 persona të rikthyer në bashkitë Belsh, Cërrik dhe Përrenjas, nisën një cikël trajnimi 3-ditor, me objektiv zhvillimin e aftësive për aktivitete sipërmarrëse. Trajnimi është ofruar sipas metodologjisë CEFE, interaktive dhe me ushtrime të shumta praktike.
Një program tjetër u realizua duke nisur nga data 2 korrik 2021, me 9 gra të kthyera nga emigracioni në bashkinë e Përrenjasit. Ato ndoqën një kurs profesional për floktore, duke e nisur me njohuritë teorike.
Gjatë muajit qershor 2021, stafi që ndjek projektin e DA ka zhvilluar takime intensive dhe periodike me Drejtorinë Rajonale të Formimit Profesional në Elbasan, ku mori informacion për kurset profesionale që ofrohen në bashkitë Belsh, Cërrik dhe Përrenjas. Pas një pune intensive të koordinatorëve lokalë të Diakonia Agapes dhe përfituesve të projektit, u bë i mundur krijimi i grupit të parë për të përfituar nga këto kurse.
Projekti i zbatuar nga Diakonia Agapes “Ri-integrimi i të kthyerve nga emigracioni dhe investimi për ta në Shqipëri” (RE-IN-VEST II), financohet nga qeveria gjermane, nëpërmjet GIZ Albania. Ai po kryhet në partneritet edhe me organizatën World Vision.
Zyra Diakonia Agapes (Shërbimi i Dashurisë) në ndihmë të të kthyerve nga emigracioni.2021