UNGJILLI – Mateu 7:24-8:4.
Kushdo, pra, që dëgjon këto fjalët e mia edhe i bën ato, do ta përngjaj atë me një njeri të mençur që ndërtoi shtëpinë e tij mbi shkëmb. Edhe ra shiu, e erdhën lumenjtë, e frynë erërat edhe u përpoqën pas asaj shtëpie, po nuk u rrëzua; sepse ishte themeluar mbi shkëmb. Edhe kushdo që dëgjon këto fjalët e mia, edhe nuk i bën, do t’i ngjajë një njeriu të marrë, që ndërtoi shtëpinë e tij mbi rërë, edhe ra shiu e erdhën lumenjtë e frynë erërat, edhe u përpoqën pas asaj shtëpie, edhe u rrëzua; edhe rrëzimi i saj ishte i madh.
Edhe kur mbaroi Jisui këto fjalë, turmat habiteshin për mësimin e tij. Sepse i mësonte ata si një që ka pushtet e jo si shkruesit.
Edhe kur zbriti nga mali, i shkuan prapa shumë turma. Edhe ja tek erdhi një i lebrosur e iu fal atij, duke thënë: Zot, nëse do, mund të më pastrosh. Edhe Jisui zgjati dorën, edhe e preku duke thënë: Dua, pastrohu. Edhe menjëherë iu pastrua lebra. Edhe Jisui i thotë atij: Shiko mos i thuash askujt; po shko e tregoje veten tënde tek prifti, edhe blato dhuratën që ka urdhëruar Moisiu si dëshmi për ata.