– Oshënar Athanas Athoniti –

Është patriarku i murgjërisë së Malit të Shenjtë. Lindi në Trapezuntë, në bregdetin jugor të Detit të Zi rreth vitit 930, jetim nga i ati (që rridhte prej Antiokisë). Që foshnjë humbi nënën dhe në moshën 7-vjeçare kujdestaren, një murgeshë e shenjtëruar. Një i afërm i familjes dhe një tjetër i afërm, gjeneral, e morën nën kujdestari. Në lojëra e bënin igumen.
I mprehtë, i ditur, i shenjtë, mësues me famë në Konstandinopojë, u magjeps nga oshënar Mihail Maleini (12 korrik), xhaxhai i gjeneralit Niqifor Foka dhe igumen i malit Kimina të Vithinisë në veriperëndim të Azisë së Vogël. Atje qethet murg me emrin Athanas, ndërsa më parë quhej Avramiu dhe u lidh me Fokanë, mikun e murgërisë.
Meqë e nderonin shumë, u arratis në Athos ku u paraqit si një i pashkollë. Gjenerali urdhëroi dhe e zbuluan. Athonitët, që atëherë asketonin nëpër kasolle, e vunë si ndërmjetues dhe u ndërtua kisha e shkëlqyer e Protatit, e cila zbukuron Malin e Shenjtë. Më pas u bë eremit në vendin ku ndodhet Lavra e Madhe mahnitëse e tij. Demonët e luftuan për tërë vitin, por, ndërsa do të largohej, një çudi i dëboi. I jepte kurajë edhe e Tërëshënjta, duke iu shfaqur herë pas here.
Fokai e mori në inkursionin e Kretës për t’u lutur, derisa arabët u mundën (961). Menjëherë formon manastirin e parë të Athosit me paratë e Niqifor Fokait, për të murgëruar së bashku. Kur mëson se ai u bë mbret, i shkruan me qortim dhe zhduket. Fokai pendohet, e kërkon dhe e gjen në Qipro, atëherë oshënari kthehet në Athos. Më vonë shkon në kryeqytet. Perandori, i dërrmuar shpirtërisht, i premton përsëri se do të bëhet murg dhe financon përsëri ndërtimin. Në punë e sipër oshënarit i thyhet kavilja dhe dergjet duke vuajtur në shtrat për tre vjet, ndërsa merret me kaligrafi.
Perandor Fokai vritet dhe disa athonitë, që më pas u penduan, e denoncojnë shenjtin te pasardhësi i tij, Joan Cimiski (969-976) si revizionist (ithtar). Perandori i ri e thërret në apologji, por i bëri përshtypje dhe jep para për veprimtarinë. Gjithashtu më 972 i japin lëkurë cjapi, mbi të cilën shkroi “Tipikoja” (rregullorja) e parë e Athosit.
Mrekullibërësi, rilindësi i murgjërisë, u vra së bashku me gjashtë prej bindësve të tij të shumtë në aksident, siç e kishte parashikuar kur ndërtohej kisha e Lavrës, brenda së cilës është i varrosur.
Më 1963 u festua mijëvjeçari i Lavrës dhe i Malit të Shenjtë në përgjithësi.