– Oshënar Andrea i Kretës, himnograf –
Himnograf shumë i shquar, i quajtur gjithashtu “jerusalemas”. Lindi ndoshta më 660, në Damask, nga prindër të thjeshtë por shpresëtarë, Gjergji dhe Grigoria. Për herë të parë foli në moshën 8-vjeçare, me mrekulli.
Kur ishte 15 vjeç, u rreshtua në Manastirin e Shën Savës (afër Jerusalemit), ku u arsimua në teologji, muzikë, retorikë, filozofi, u qeth murg dhe veproi si sekretar patriarkal. Megjithëse i ri, u dërgua me dy jerondë në një mision zyrtar për te perandori në Konstandinopojë (685). Qëndroi në kryeqytet, u dorëzua dhjak në Kishën e Shën Sofisë dhe mori përsipër drejtimin e një jetimoreje dhe të një institucioni tjetër filantropik.
Në vitin 712 (ose më parë) e zgjodhën kryepiskop të 12 episkopatave të ishullit të Kretës, me seli kryeqytetin e saj, Gortina. Intelektual, por edhe praktik, aktivizoi edhe këtu aftësitë e tij të mëdha. Mësoi popullin, bëri shkrime të ndryshme, ndërtoi kisha dhe shtëpi për të varfrit, të sëmurët e të huajt dhe organizoi Kishën. Njihen mrekullitë e tij në kohë thatësire dhe epidemie. Gjithashtu i dha zemër grigjës së tij, saqë zmbrapsën agresorin arab.
Luftoi për mbrojtjen e ikonave, por ashtu si miku i tij, shën Gjermanoi, më pas kryepiskop i Konstandinopojës (12 maj), u ndikua (712) për një kohë prej Monotelitizmit, degëzim i Monofizitizmit. Por më pas u pendua. I moshuar udhëtoi për në kryeqytet, ku u admirua retorika e tij. Gjatë kthimit, u lodh nga lundrimi dhe ndërroi jetë, siç e kishte parashikuar, në ishullin e Mitilinit, në verilindje të detit Egje. Atje e varrosën (rreth vitit 740).
Fjalimet e tij, festive zakonisht, lavdërojnë sidomos festat Hyjlindësore; veprat e tij himnografike përfshijnë muzikë “melos” dhe poezi “ode”, pra melodi, himnodi të “kanuneve” të shumta, “idiomeleve” dhe “stikirareve”, madje shumica e konsideron si babain e “kanuneve”. “Kanuni i Madh” i tij shumë i famshëm (261 tropare) shfaq ashtu si gjithë krijimtaria e tij, njohuri të thella të Dhiatës së Vjetër dhe të Re. Njëkohësisht zbulon bollëk ndjenjash të njeriut që ngacmohet nga djalli. Pasuria letrare përfundon me thirrjen për pendim.
Andrea, greqisht do të thotë: burrëror.