– Dëshmor Jakinthi –

Lindi në Qesari të Kapadoqisë nga prindër të krishterë. Në Romë ishte “kubikular” d.m.th. kujdestar i dhomës dhe kamarier i tavolinës së perandor Trajanit (98-117). Dikur e denoncuan te perandori, i cili e thirri në drekë dhe i bëri presion që të hajë mish flijimesh. Pasi bëri kryqin, mohoi në mënyrë kategorike që të ndryshojë besimin dhe të hajë atë ushqim. Përkundrazi, i sugjeroi që edhe ai të besojë.
Monarku i egërsuar urdhëroi që ta godisnin në gojë. Shenjtin e hodhën përtokë dhe e godisnin me shkelma, i hapën gojën dhe ia mbushën me mish flijimesh, por nuk e hëngri. Më pas e burgosën me këmbë të shtrënguara në “drurin” torturues.
Ditën e nesërme e sollën në festën e perëndive në teatër. Nuk sakrifikoi dhe xhelatët e rrahën aq sa u spërkatën me gjak. Pastaj e varën dhe i shqyen brinjët, por ai për çudi të shikuesve priste ndëshkime edhe më të mëdha, të cilat i quante bamirësi. Më pas u burgos dhe nuk hëngri e as piu gjë, sepse i jepnin vetëm mish idhulli.
Ditën e 38-të, roja i burgut pa i tmerruar një engjëll që i mbulonte trupin dhe një tjetër që e kurorëzonte. Trajani, megjithë këto, nuk tërhiqej, derisa mbas dy ditësh dëshmori 20-vjeçar dha shpirt. Atëherë u shfaqën shumë qenie të veshura me të bardha, që mbanin llambadhe dhe i qarkuan trupin. Tirani urdhëroi dhe e hodhën në mal te bishat, por ato nuk e prekën sepse e ruanin engjëjt. Një prift, i udhëzuar prej një engjëlli, gjeti trupin e tij dhe e varrosi. Kur po vdiste, ia bëri të njohur çështjen një të moshuare shpresëtare të ve që e mori lipsanin e tij, i cili binte erë të mrekullueshme.
Më vonë shenjti iu shfaq një senatori të verbër. E këshilloi ta marrë lipsanin e shenjtë nga e moshuara dhe ta dërgojë në Kapadoqi, në qoftë se donte të shërohej. Senatori u lye me vajin e kandilit të lipsanit të nderuar dhe u shërua, por mbajti qëndrim indiferent për të tjerat. Filloi të verbohej sërish derisa erdhi në vete, u shërua përsëri dhe e dërgoi lipsanin në shtëpi të atletit (dëshmorit), në Qesari.
Jakinthi, greqisht do të thotë: zymbyl ose safir.