APOSTULLI – Romakëve 3:19-26.

Edhe dimë se sa thotë ligji, ua thotë atyre që janë nën ligj; që të mbyllet çdo gojë, edhe gjithë bota të bëhet fajtore përpara Perëndisë. Sepse prej punësh ligji s’ka për të dalë i drejtë asnjë mish përpara tij; sepse me anë të ligjit njihet mëkati.

Po tani pa ligj u shfaq drejtësia e Perëndisë, duke u dëshmuar nga ligji dhe nga profetët. Po, drejtësia e Perëndisë me anë të besimit në Jisu Krishtin në të gjithë e mbi të gjithë ata që besojnë; sepse nuk ka ndonjë farë ndryshimi.

Sepse të gjithë mëkatuan, edhe të gjithëve u shteret lavdia e Perëndisë, edhe drejtësohen falas me anë të hirit të tij, nëpërmjet shpërblimit që është në Jisu Krishtin, të cilin Perëndia e vuri që përpara mjet shpërblimi me anë të besimit në gjakun e tij, që të tregojë drejtësinë e tij, për ndjesën e mëkateve që qenë bërë përpara, me anë të durueshmërisë së Perëndisë; që të tregojë drejtësinë e tij në këtë kohë, që të jetë ai i drejtë, dhe të nxjerrë të drejtë atë që i beson Jisuit.