APOSTULLI – Romakëve 2:28-3:18.
Sepse nuk është jude ai që është nga jashtë jude, as rrethprerje ajo që duket në mish. Por jude është ai që është përbrenda jude, edhe rrethprerje ajo e zemrës, që është sipas frymës e jo sipas shkronjës, lëvdimi i të cilit është jo prej njerëzish, po prej Perëndisë.
Ç’ka më tepër pra Judeu? Apo cila është dobia e rrethprerjes? Shumë nga çdo anë. Më përpara, sepse fjalët e Perëndisë iu besuan Judenjve. Sepse çfarë në mos besuan disa? Mos do të hedhë poshtë besën e Perëndisë pabesia e tyre? Qoftë larg; po Perëndia qoftë i vërtetë, edhe çdo njeri gënjeshtar, siç është shkruar: “Që të dalësh i drejtë në fjalët e tua, edhe të fitosh kur të gjykohesh”.
Po në tregon padrejtësia jonë drejtësinë e Perëndisë, ç’duhet të themi? Mos është i padrejtë Perëndia që sjell zemërimin? Si njeri flas. Qoftë larg; sepse atëherë si do të gjykojë Perëndia botën? Sepse në qoftë se me anë të gënjeshtrës sime u shtua e vërteta e Perëndisë për lavdi të tij, pse unë ende gjykohem si fajtor? Edhe, siç shahemi, edhe siç thonë disa se ne themi, pse të mos bëjmë të ligat, që të vijnë të mirat? Dënimi i të këtillëve është i drejtë. Asnjë njeri nuk është i drejtë. Çfarë pra? Jemi ne më të mirë se kombet?
Pa fjalë jo; sepse e treguam më përpara se edhe Judenjtë edhe Grekët, të gjithë janë nën mëkat, siç është shkruar: “Se s’ka të drejtë, as edhe një. S’ka asnjë që kupton; s’ka asnjë që kërkon Perëndinë. Të gjithë dolën jashtë udhës, të gjithë u bënë të padobishëm; s’ka kush të bëjë mirë; s’ka as edhe një. Varr i hapur është gurmazi i tyre; me gjuhët e tyre flisnin mashtrime; vrer nepërkash është nën buzët e tyre.
Goja e tyre është plot me mallkim e me hidhërim. Këmbët e tyre janë të shpejta për të derdhur gjak. Shkretim e mundim nëpër udhët e tyre. Edhe udhë paqeje nuk njohën. Nuk ka frikë Perëndie përpara syve të tyre”.