– Oshënar Samson Mikpritësi –

Ndriçoi në shekullin e 6-të. Lindi në Romë nga fis mbretëror dhe u arsimua gjerësisht në letërsi, filozofi dhe mjekësi, shëronte me dhuntinë e tij çudibërëse, e cila ishte çmimi i virtytit të tij.

Prindërit i vdiqën shpejt dhe pasi dha lëmoshë pasurinë e tij të madhe, duke iu larguar famës, u vendos në Konstandinopojë. Shtëpia e tij e vogël u shndërrua në ambulancë. Shëroi gjithashtu një sëmundje të tmerrshme të perandor Justinianit I (527-565). Ai e kishte thirrur sepse kishte parë në ëndërr të panjohurin deri atëherë, mjekun Samson. Shenjti nuk pranoi shpërblimet mbretërore të majme, por iu lut t’i ndërtonte një spital.

Me të vërtetë, monarku mirënjohës, midis kishave të Shën Sofisë dhe të Shën Irinit, ngriti një spital madhështor dhe të famshëm, “Spitalin e Samson Mikpritësit”, siç e quajti. Mbajtjen e tij e siguroi nëpërmjet pronave të dhuruara. Oshënari e drejtoi atë deri sa fjeti. Varrimi u krye në kishën e shkëlqyer të Shën Mokiut (11 maj), që thuhet se ishte i afërmi i tij. Më parë ishte hirotonisur prift i Shën Sofisë prej patrikut Shën Mina (25 gusht). Por, thuhet se patriku shërbeu si drejtor i spitalit, ndërsa ishte akoma prift. Justiniani, për më tepër, e kishte ngarkuar Mikpritësin ruajtës të enëve të Kishës së Madhe, d.m.th. të Shën Sofisë.

Ai bëri shumë çudira pas vdekjes. P.sh. u shfaq mbi çatinë e spitalit, e cila digjej, dhe shoi zjarrin; shfaqej në vizione dhe në ëndrra edhe shëronte; qortoi rëndë një infermier moskokëçarës të institucionit të tij, saqë, i tmerruar, erdhi në vete; shëroi një ushtarak kur ai i premtoi spitalit t’i jepte vajin e nevojshëm, siç dhe iu shfaq, dhe e urtësoi kur harroi atë çka kishte premtuar; shëroi një ushtarak tjetër që i vinte keq, sepse, duke qenë në prag të vdekjes, nuk do të shkonte në panairin e shenjtit dhe përfundimisht çdo vit në përkujtimin e tij varri lëshonte miro.

Samson, në gjuhën hebraike dhe babilonase, do të thotë: diell.