Paraqitje e suksesshme e korit “Shën Joan Kukuzeli”
Kori bizantin i psaltëve në f” Nish, Serbi.

Krijimi i urave lidhëse miqësore mes popujve, përmes kulturës dhe artit muzikor ishte synimi i Festivalit të 8-të Ndërkombëtar të Muzikës Kishtare, me emrin “Music Edict”. Ai u zhvillua nga dt. 20 – 23 qershor 2021 në Nish, Serbi. Në të mori pjesë kori bizantin i psaltëve “Shën Joan Kukuzeli” i Kryepiskopatës së Tiranës, nën drejtimin e maestro Theodhor Peci.

Ky festival organizohet për nder të tij të perandorit shën Kostandini i Madh në qytetin e lindjes, si dhe për nder të nënshkrimit të Ediktit të Milanos nga ky perandor, i cili shpalli lirinë e besimit të krishtere.

Nishi është një vend i rëndësishëm në hartën e krishterë, pika e kryqëzimit me rrugën e vjetër romake për në Kostandinopojë, lidhja midis lindjes dhe perëndimit.

Festivali “Edikti i Muzikës” është mbajtur 6 herë deri më tani (çdo 2 vite, që nga viti 2009). Mbi 100 ansamble muzikore nga vende të ndryshme kanë marrë pjesë në të. Këtë vit, ky aktivitet artistik e fetar ishte i organizuar me shumë profesionalizëm në çdo detaj, por ajo që vërehej edhe më shumë ishte mikpritja e veçantë e Hirësi Arsenit, mitropolitit të Nishit, si dhe e organizatores kryesore, dirigjentes Sara Cincareviç.

Festivali u zhvillua në katër mbrëmje muzikore të realizuara brenda kompleksit të Katedrales së Trinisë së Shenjtë të qytetit. Koret që morën pjesë këtë vit ishin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia, Bullgaria, Polonia, Lituania, Gjeorgjia, Shqipëria, Rumania dhe Serbia. Ato interpretuan me profesionalizëm, duke kënduar muzikë religjioze në gjuhët amtare të vendeve të tyre.

Kori bizantin i psaltëve “Shën Joan Kukuzeli” interpretoi për rreth 20 minuta, në mbrëmjen e 21 qershorit, himne të ndryshme kishtare në gjuhën shqipe, me repertor të kompozitorëve Petro Lambadhari, Joan Protopsalti, Gjerasim Kanelidhi, Ieromonak Partheni dhe Theodhor Peci.
Duke qenë kori i vetëm që këndoi në stilin monofonik bizantin pati një sukses të veçantë dhe u duartrokit gjatë nga spektatorët. Paraqitja dinjitoze e korit tregoi punën serioze që kryhet prej shumë kohe në fushën e artit psaltik në Shqipëri, si dhe promovoi më së miri arritjet dhe punën e kryer nën udhëheqjen e Kryepiskopit tonë Anastas në këto tri dekada në të gjitha drejtimet e saj.

Në përfundim të këtij festivali mbresëlënës të gjithë u larguan me përshtypjet më të mira, me më shumë miq dhe me shpresën për t’u takuar përsëri në aktivitete të tilla në të ardhmen.
Paraqitje e suksesshme e korit - Serbi 25.06.2021