UNGJILLI – Mateu 5:33-41.

Përsëri keni dëgjuar se u është thënë të vjetërve: Mos bëj be në të rreme, por t’i mbash betimet e tua te Zoti. Por unë po ju them juve, të mos bëni be fare, as për qiellin, sepse është froni i Perëndisë; as për dhenë, sepse është nënkëmbëse e këmbëve të tij; as për Jerusalemin, sepse është qytet i mbretit të madh. As për kryet tënd të mos bësh be, sepse nuk mund të bësh një qime të bardhë a të zezë. Por le të jetë fjala juaj: Po, po; Jo, jo; sepse e tepërta e këtyre është nga i ligu.

Keni dëgjuar se është thënë: “Sy në vend të syrit, edhe dhëmb në vend të dhëmbit”. Por unë po ju them juve, të mos i qëndroni kundër të ligut; por atij që të të bjerë ty një shuplakë në faqen tënde të djathtë, ktheja atij edhe tjetrën. Edhe atij që do të gjykohet me ty, e të marrë këmishën tënde, lëri atij edhe rrobën. Edhe ai që të marrë ty angari një milje, ec bashkë me atë dy.