– Dëshmor Gjergji nga Atalia –
Ishte nga Atalia, në Azinë e Vogël. Gjergji ishte një djalë shumë sjellshëm. Një ditë, kur u largua nga shtëpia, e rrëmbeu pashai turk dhe me mashtrime e ktheu në mysliman. Më vonë, e martoi dhe me të bijën, por prindërit e djaloshit, shpresëtarë të pasur, të pangushëlluar, që e kishin pikasur se ku ndodhej i biri, iu lutën një shërbëtoreje të tij, Marisë, e cila mori guximin dhe me takt, por edhe me frikë i kujtoi origjinën e tij. Menjëherë erdhi në vete!
Së bashku thurën një plan: me pretekstin e pelegrinazhit, se gjoja ai do të shkonte në Mekë dhe ajo në Vendet e Shenjta, u takuan në Jerusalem. Atje shenjti u rrëfye dhe u kungua.
Pas dy vjetësh, që të mos zbuloheshin, u shpërngulën në Krini (Çezmë), në bregdetin perëndimor të Azisë së Vogël. Gjergji u bë kafexhi dhe u martua me Eleni Mavrojanin.
Në kryengritjen greke të vitit 1821, disa asqerë turq do të kalonin nga Krinia për të shkuar në ishullin përballë, Hio. Gjergji, që punonte atëherë si kujdestar i kuajve të guvernatorit, kur mësoi se do të kalonte edhe ish-vjehrri i tij, nuk pranoi të largohej siç e këshilluan e shoqja dhe Maria, të cilën e kishte si nënë. Madje u kishte folur në mënyrë enigmatike.
Pashai erdhi dhe i shërbeu Gjergji. Ai e njohu, megjithëse me vonesë, dhe e pyeti përse e braktisi të shoqen dhe djalin dhe u inatos sa dëgjoi përgjigjen se ishte i krishterë. Menjëherë e arrestuan dhe e burgosën. Në burg nuk u josh nga premtimet dhe për këtë e rrahën mizorisht dhe e mbyllën në qeli duke e vendosur në “drurin” torturues, nga ku nuk mund të lëvizte. Një prift u përpoq ta ndihmonte me anë të dy të krishterëve, të cilët u burgosën gjoja për borxhe. Prifti i dërgoi edhe Eukaristinë Hyjnore brenda një stafidheje. Më përpara e kishin torturuar, i kishin vënë në kokë një tenxhere shumë të nxehtë dhe i kishin derdhur vaj të përvëluar, por ai i poshtëronte! Gjergji qëndronte i patundur (25.6.1823) dhe bëri agripni tërë natën.
Për tre net rresht, rojat shikonin dritë mbi trupin e varur dhe një klerik, i cili e temjaniste, nuk mundej, madje, t’i kthente dot fytyrën, sepse e mbante përherë të kthyer nga lindja. Më në fund, disa hebrenj e tërhoqën zvarrë dhe e hodhën në det, por e nxori një kapiten grek i një anijeje dhe e çoi në Rusi. Vetë dëshmori i ri i kishte thënë Marisë në ëndërr që ta quanin detar dhe se Eleni do t’i lindte vajzë.