UNGJILLI – Mateu 5:20-26.

Sepse po ju them juve, se në mos teproftë drejtësia juaj më tepër se ajo e shkruesve edhe e Farisenjve, nuk do të hyni në mbretërinë e qiejve. Keni dëgjuar se u është thënë të vjetërve: “Mos vrit”, edhe ai që të vrasë do të jetë fajtor për në gjyq.

Por unë po ju them juve se kushdo që zemërohet më kot kundër vëllait të tij, do të jetë fajtor për në gjyq, edhe ai që t’i thotë të vëllait: “raka”, do të jetë fajtor për në Këshill; edhe ai që t’i thotë: “i marrë”, do të jetë fajtor për në gjehenë të zjarrit. Në prufsh, pra, dhuratën tënde në therore, edhe atje kujtohesh, se yt vëlla ka diçka kundër teje, lëre atje dhuratën tënde përpara therores, edhe shko e pajtohu më parë me tët vëlla, edhe atëherë, si të vish, sill dhuratën tënde.

Merru vesh shpejt me ndërgjygjësin tënd, deri sa të jesh në udhë bashkë me të; se mos të të dorëzojë ndërgjygjësi te gjyqtari, edhe gjyqtari të dorëzojë tek rojtari, e hidhesh në burg. Me të vërtetë po të them ty: Nuk do të dalësh andej, deri sa të shlyesh edhe qindarkën e fundit.