APOSTULLI – Romakëve 1:18-27.
Sepse zemërim Perëndie zbulohet prej qielli mbi çdo pabesi e paudhësi të njerëzve, që shtypin të vërtetën në paudhësi. Sepse çdo gjë që mund të dijë njeriu për Perëndinë është e shfaqur tek ata, se Perëndia ua shfaqi atyre. Sepse qëkurse u bë bota, të padukshmet e tij, fuqia e tij e përjetshme edhe hyjnia, duken qartë, duke u marrë me mend me anë të atyre që janë bërë, kaq sa ata të mos kenë se ç’të thonë.
Sepse, ndonëse e njohën Perëndinë, nuk e lavdëruan si Perëndi, as nuk e falënderuan; por u bënë të kotë në mendimet e tyre, edhe u errësua zemra e tyre e paarsyeshme. Duke thënë se janë të mençëm, u marrosën, edhe ndërruan lavdinë e Perëndisë së pavdekshëm në shëmbëllesë fytyre njeriu të vdekshëm, edhe shpendësh e katërkëmbëshish e zvarranikësh.
Prandaj edhe i dha Perëndia ata në papastërti me anë të dëshirimeve të zemrave të tyre, që të çnderohen trupat e atyre në mes tyre, të cilët ndërruan të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër, edhe nderuan e adhuruan krijesën më tepër se Krijuesin, i cili është i bekuar për gjithë jetën. Amin.
Prandaj Perëndia i dha ata në dëshirime çnderimi; sepse edhe femrat e tyre shndërruan marrëdhënien sipas natyrës në atë kundër natyrës. Gjithashtu edhe meshkujt lanë marrëdhënien me femrën sipas natyrës, e u dogjën në dëshirimin e tyre njëri me tjetrin, duke bërë turpe meshkuj me meshkuj, e duke marrë mbi vete shpagimin e duhur të mashtrimit të tyre.