APOSTULLI – Romakëve 1:1-7, 13-17.
Pavli, shërbëtor i Jisu Krishtit, i thirrur apostull, i ndarë për të predikuar ungjillin e Perëndisë, që qe premtuar që përpara me anë të profetëve të tij në shkrime të shenjta, për të Birin e tij Jisu Krishtin, Zotin tonë, i cili sipas mishit lindi nga fisi i Davidit, dhe sipas Frymës së shenjtërisë u tregua Bir Perëndie me fuqi, me anë të ngjalljes prej së vdekurish, me anë të të cilit morëm hir e apostoli për emrin e tij, që të binden në besim gjithë kombet; në mes të të cilëve jeni edhe ju të thirrur të Jisu Krishtit; të gjithë juve që jeni në Romë, të dashur të Perëndisë, të thirrur shenjtorë, hir mbi ju dhe paqe prej Perëndisë, Atit tonë, edhe prej Zotit Jisu Krisht.
Edhe nuk dua të mos e dini, vëllezër, se shumë herë e vura ndër mend të vij tek ju, po u pengova deri tani që të kem ndonjë fryt edhe në mes tuaj, sikurse edhe në mes kombeve të tjerë. U jam i detyruar Grekëve e barbarëve, të diturve e të paditurve. Kështu, sa varet nga unë, jam i gatshëm të predikoj ungjillin edhe ndër ju që jeni në Romë.
Sepse nuk kam turp për ungjillin e Krishtit; sepse është fuqi Perëndie për shpëtim mbi cilindo që beson, në Judeun më parë, edhe në Grekun më pastaj. Sepse me anë të tij zbulohet drejtësia e Perëndisë prej besimi në besim, siç është shkruar, “I drejti prej besimi do të rrojë”.