– Dëshmorët Isavri, Vasili, Inocenti, Feliksi, Ermia dhe Peregrinit në Apolloni (Fier) –
Shën Isavri, dhjakon, dhe ata që ushtroheshin në asketizëm bashkë me të, Vasili dhe Inocenti, ishin me origjinë nga Athina dhe jetuan në kohën e mbretit Numerian (284).
Shkuan në Apolloninë e Epirit (bota e lashtë numëronte me shumë se tridhjetë qytete me të njëjtin emër), por këtu duket se bëhet fjalë për Apolloninë (sot në Pojan të Fierit), që ndodhej në jug të Ilirisë, afër Durrësit, siç e dëshmon Zbritësorja e Odës III të Shërbesës së tyre. Pas zbulesës së një engjëlli, u vendosën në një shpellë për të jetuar si asketë. Megjithatë, nuk mbetën për shumë kohë të fshehur, pasi 3 të krishterë shpresëtarë, Feliksi, Ermia dhe Peregrini, i gjetën dhe filluan t’i qëndrojnë pranë. Si shkëmbim të ushqimit shpirtëror që u ofronte Isavri, i furnizonin me më të nevojshmet.
Pas pak kohe, duke iu përgjigjur nxitjeve të Isavrit, 3 nxënësit ndanë ç’ka kishin te të varfrit dhe erdhën për të jetuar pranë tij dhe pranë atyre që ushtroheshin bashkë me të. Prindërit e tyre pasi, dështuan në përpjekjet për t’i kthyer në idhujtari, i denoncuan te qeveritari i Apollonisë, Tripondi.
Ai i arrestoi dhe fillimisht u përpoq të nënshtronte Feliksin, Ermian dhe Peregrinin, por pa rezulat. Kështu, dha urdhër që t’u priteshin kokat. Sa për Isavrin dhe për ushtruesit bashkë me të, u dorëzuan tek i biri i Tripondit, Apolloni, i cili i torturoi me zjarr dhe ujë. Shenjtorët jo vetëm që mbetën të pacënuar nga këto tortura, por edhe tërhoqën shumë paganë në besim. Ndër to përmendim, Rufin dhe Rufinin, dy vëllezër që i përkisnin një familjeje të famshme të senatit të qytetit. Përfundimisht, u prenë kryet të gjithë të kthyerve në besim, bashkë me tri shenjtorët.
* * * * *
– Dëshmorët Ismaili, Manueli, Saveli –
Ishin vëllezër persianë, të cilët morën kurorën e pavdekshme të martirizimit më 17.6.362. I ati ishte adhurues i zjarrit, por e ëma ishte e krishterë në sajë të priftit Evnoik (ose Evnik) që kaliste bijtë e saj. Dikur perandor Juliani (361-363) kërkoi ndërmjetës nga mbreti persian për të lidhur paktin e paqes, ky dërgoi shenjtorët e shkolluar, të cilët u pritën me nderime.
Por kur Julian Shkelësi dhe oborrtarët e tij bënin flijime te perënditë gjatë festës, të tre të dërguarit qanin mënjanë për adhurimin e demonëve. I pikasën, dhe meqenëse ata nuk u bindën për të bërë edhe ata flijime, u burgosën nga perandori. Ky i fundit më kot u përpoq ditën e nesërme që t’i trembte, i torturan dhe fshikulluan derisa u mbuluan me gjak; i gozhduan në duar e këmbë në dërrasë dhe i varën; i gërvishën me thonj hekuri, saqë u binin mishrat. Ndërsa luteshin u shfaq engjëlli që u zbuti dhimbjet e padurueshme.
Monarku largoi vëllain e madh, Manuelin, për t’u dobësuar qëndresën vëllezërve më të vegjël. Ndërkohë ai nuk mundi t’i gënjente dhe ndaj u dogji brinjët dhe sqetullat me llambadhe, por dashuria për Krishtin ua hiqte dhimbjet. Ai u mundua që të thyente Manuelin, por më kot. Edhe atij i dogjën sqetullat dhe e mbështollën me kallama, të cilat i shtrëngonin duke e shpuar me mjete të mprehta.
Së fundi u ngulën gozhda në kokë dhe në shpatulla, ashkla në thonj dhe ua prenë kokën. Tirani, duke e ditur se lipsanet do t’i merrnin besimtarët, kishte urdhëruar që të digjeshin. Por u hap dheu dhe i fshehu ato, kështu që shumë njerëz besuan. Pas dy ditësh u rihap dheu dhe ua dha besimtarëve lipsanet, të cilat kundërmonin erë të këndshme dhe kryenin mrekulli. Renegati u vra në luftë me persianët (363), sepse pakti mbeti përgjysmë për shkak të sjelljes së paparë dhe të parrëfyeshme ndaj ambasadorëve të tyre.