APOSTULLI – Veprat e Apostujve 23:1-11.

Edhe Pavli hodhi sytë në kuvend, e tha: Burra vëllezër, unë deri në këtë ditë kam ecur përpara Perëndisë me gjithë ndërgjegjen e mirë. Edhe kryeprifti Anania i urdhëroi ata që rrinin pranë atij t’i bien gojës. Atëherë Pavli i tha: Perëndia do të të bjerë, o mur i lyer me gëlqere; e ti rri të më gjykosh sipas ligjit, dhe duke shkelur ligjin urdhëron të më bien? Edhe ata që rrinin pranë, thanë: Kryepriftin e Perëndisë shan? Edhe Pavli tha: Nuk e dija, vëllezër, se është kryeprift; sepse është shkruar, “Mos fol keq për të parin e popullit tënd”.

Dhe Pavli, si e kuptoi se njëra pjesë ishte prej Saduqenjsh, dhe tjetra prej Farisenjsh, bërtiti në kuvend: Burra vëllezër, unë jam Farise, bir Fariseu. Unë po gjykohem për shpresë e për ngjalljen e të vdekurve. Edhe si foli ai këtë, u bë një grindje në mes të Farisenjve e të Saduqenjve, edhe mbledhja u përça. Sepse Saduqenjtë thonë se s’ka ngjallje, as engjëll, as shpirt; kurse Farisenjtë i pohojnë që të dyja.

Edhe u bë një trazirë e madhe, dhe shkruesit e anës së Farisenjve u ngritën e grindeshin, duke thënë: Asgjë të keqe s’gjejmë te ky njeri; po nëse i foli atij ndonjë shpirt a engjëll, le të mos luftojmë kundër Perëndisë. Edhe pasi u bë trazirë e madhe, kryemijësi pati frikë se mos shqyhet Pavli prej tyre, dhe urdhëroi të zbresë ushtria e ta rrëmbejë nga mesi i tyre, dhe ta çojë në fortesë.

Edhe natën pas asaj dite iu duk Zoti e i tha: Ki zemër, Pavël, se siç dëshmove për mua në Jerusalem, kështu duhet të dëshmosh edhe në Romë.