APOSTULLI – Veprat e Apostujve 21:26-32.
Atëherë Pavli i mori me vete ata burrat, dhe ditën tjetër, si u pastrua bashkë me ta, hyri në tempull, dhe lajmëron kur mbushen ditët e pastrimit, kur do të sillej dhuratë për secilin prej tyre.
Edhe kur do të mbusheshin të shtatë ditët, ata Judenjtë që ishin nga Azia, kur e panë atë në tempull, trazuan gjithë turmën, edhe vunë duart mbi të, duke bërtitur: O burra Izraelitë, ndihmonani. Ky është ai njeriu që mëson kudo gjithë njerëzit kundër popullit dhe ligjit, dhe këtij vendi; dhe madje edhe Grekë futi në tempull, dhe ndoti këtë vend të shenjtë.
Sepse kishin parë më parë Trofim Efesianin bashkë me të në qytet, të cilin pandehnin se Pavli e kishte futur në tempull. Edhe u tund gjithë qyteti, dhe u mblodh populli; dhe si zunë Pavlin, e hoqën jashtë tempullit; dhe përnjëherë u mbyllën dyert.
Edhe tek kërkonin ta vrisnin, shkoi fjala te kryemijësi i kohortës, se gjithë Jerusalemi është trazuar. Ky përnjëherë mori me vete ushtarë e kryeqindës e u sul poshtë mbi ata. Edhe ata kur panë kryemijësin edhe ushtarët, pushuan së rrahuri Pavlin.