APOSTULLI – Veprat e Apostujve 20:16-18, 28-36.
Sepse Pavli e kishte parë të udhës të lundrojë anash Efesit, që të mos e humbte kohën në Azi; sepse nxitonte, në ishte e mundur për të, ditën e Pendikostisë të gjendet në Jerusalem.
Edhe prej Militës dërgoi në Efes e thirri pleqtë e kishës. Edhe kur këta erdhën tek ai, u tha atyre: Ju e dini që ditën e parë që shkela në Azi se si e shkova gjithë kohën bashkë me ju.
Kini pra kujdes për veten tuaj dhe për gjithë tufën, mbi të cilën Fryma e Shenjtë ju vuri ju kujdestarë, që të kullotni kishën e Perëndisë, të cilën e fitoi me gjakun e tij. Sepse unë e di këtë, se pas ikjes sime kanë për të hyrë tek ju ujqër të këqij, të cilët s’kanë për ta kursyer tufën. Edhe prej jush vetë do të ngrihen njerëz duke folur gjëra të shtrembëra, që të tërheqin nxënësit pas vetes së tyre.
Prandaj rrini zgjuar e sillni ndër mend se tre vjet natë e ditë s’pushova duke këshilluar me lot gjithësecilin. Edhe tani, o vëllezër, ju lë juve në Perëndinë, edhe në fjalën e hirit të tij, i cili mund t’ju ndërtojë e t’ju japë juve trashëgim në mes të gjithë të shenjtëruarve. Argjend ose ar ose rrobë të askujt nuk dëshirova. Edhe ju vetë e dini se këto duart e mia kanë punuar për nevojat e mia dhe për ata që ishin bashkë me mua.
Me çdo mënyrë ju tregova juve se kështu duke u munduar duhet t’u ndihmoni të pafuqishmëve, edhe të kujtoni fjalët e Zotit Jisu, se ai vetë tha: “Lumturi më e madhe është të japë njeriu se të marrë”.
Edhe si tha këto, u ul në gjunjë e u fal bashkë me ata të gjithë.