– Dëshmor Joan Vladimiri –
Lindi në fshatin Vladimir (nga del dhe emri i tij) të Krajës, në Malin e Zi, afër Shkodrës, dhe u bë mbret. Ishte i drejtë dhe i pastër në moral dhe ndihmoi në shtrirjen e Orthodhoksisë.
Njëherë, kur udhëtonte në shtetin e tij me gjeneralët, dalloi në një pyll afër Elbasanit një shqiponjë. Shqiponja kishte në krahët e saj një kryq të ndritshëm, të cilin e lëshoi në tokë para se të fluturonte dhe të zhdukej. Monarku mori kryqin me devotshmëri e frikë dhe e vendosi në një kishë, që ngriti në vend më vonë. Bashkëshortja e tij e përkushtuar, Kozara, ishte motra e carit Bullgar, Vladisllavit (1015-1018).
Ai, për të zotëruar mbretërinë e Joanit, e ftoi në kryeqytetin e tij, Ohrin, mbasi ky iu betua në Ungjill dhe në një kryq druri shumë të respektuar shenjtit se nuk do t’i bënte keq. Ai u bind, ndërkaq tinëzari e goditi fort me shpatë në qafë, por më kot. Atëherë Joani tolerant i dha kryqin duke i thënë: “E tradhtove. Por merre këtë dhe do të më vrasësh”.
Më pas këshilloi shoqëruesit e tij të mbrojnë Orthodhoksinë, të qeverisin drejt popullin dhe të mos marrin hak për vrasjen e tij që të mos derdhet gjak “vëllazëror”, ndoshta ishte bullgar, pasi e dimë se nuk ishte shqiptar, por i deshi shqiptarët tej mase. Vladisllavi me të vërtetë i preu kokën, ndërkaq “martiri” mori kokën e tij në duar. Kalëroi kështu deri në kishën e ngritur prej tij në Elbasan, në të cilën edhe u varros më 22.5.1015. Kozara mbeti për gjithë jetën në një godinë që ndërtoi përbri kishës.
Kompleksi u zhvillua në manastir, i cili u shkatërrua dhe u ringrit në mënyrë të përsëritur.
Sot i gjithë kompleksi i manastirit u ringrit përsëri. Në manastir dhe në zonën përqark tij, festohet me madhështi në dt.4 qershor (që me kalendatin e vjetër [julian] përkon në dt. 22 maj).
Vladimir, rusisht do të thotë zotëruesi i paqes (ose i botës).
* * * * *
– Marta dhe Maria, motrat e Llazarit. –
Motrat e Llazarit, mikut të Krishtit, jetonin në Betani.
Një ditë, Jisui hyri në shtëpinë e tyre. Marta, më e madhja, po shqetësohej se si t’i shërbente dhe, kur pa se e motra, Maria, po qëndronte e ulur në këmbët e Jisuit dhe po dëgjonte fjalët e Tij, i tha e mërzitur: “Zot, a nuk do të dish se ime motër më la vetëm të shërbej? Thuaji pra asaj të më ndihmojë. Edhe Jisui iu përgjigj e i tha asaj: “Marta, Marta, përpiqesh e mundohesh për shumë punë. Po për një gjë është nevoja dhe Maria zgjodhi pjesën e mirë, e cila nuk do të merret prej saj” (Llk. 10:38-42).
Në vazhdim, pak para Pësimit, Llazari u sëmur dhe vdiq. Jisui mbërriti në Betani 4 ditë pas vdekjes së Tij, megjithëse ishte lajmëruar që më parë.
Marta rendi për ta takuar, ndërsa Maria qëndroi në shtëpi, ku shumë veta kishin ardhur për t’i ngushëlluar. Zoti e siguroi se i vëllai do të ngjallej dhe Marta pohoi besimin e saj, se Ai është Biri i Perëndisë. Pastaj ajo shkoi dhe thirri të motrën dhe së bashku shkuan te varri. Me urdhër të Jisuit, i vdekuri u ngrit nga varri, me këmbët dhe duart lidhur me rripa linoje dhe fytyrën të mbuluar me rizë (Jn. 1:11).
Gjashtë ditë pas Pashkës, një banket u organizua në nder të Jisuit në Betani, në praninë e Llazarit. Teksa Marta po shërbente, Maria mori një litër miroje të shtrenjtë, me të cilën i leu këmbët e Zotit dhe i fshiu me flokët e saj. Kur Juda kundërshtoi për këtë shpenzim, Jisui paratha se ajo e kishte ruajtur këtë parfum për hir të varrimit të Tij (Jn.12).
Pas Ngjitjes në Qiell, Martha dhe Maria shoqëruan Llazarin për të përhapur kudo Lajmin e Mirë.