– Gjysmëpentikostia –
Në mes të javës së katërt, kremtohet solemnisht dita mes Pashkës dhe Rushajeve (Pesëdhjetores/Pentikostisë). Kjo quhet festa e Gjysmëpentikostisë/Mes-Rushajeve, në të cilën Krishti “në mes të festës” i mëson njerëzit për misionin e tij shpëtimtar dhe i ofron të gjithëve “ujin e gjallë” (Joani 7:14, 38).
Përsëri ne kujtohemi për praninë e Mësuesit dhe për premtimin e tij shpëtimtar: “Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë” (Joani 7:37).
Ne mendojmë përsëri për vdekjen dhe ngjalljen tonë me Krishtin në Pagëzimin tonë dhe për marrjen e Shpirtit të Shenjtë prej Tij në Mirosjen. Ne “shohim mbrapa njerën dhe paramarrim tjetrën” siç thotë një nga himnet e festës. Ne e dimë që i përkasim mbretërisë së Krishtit të Ngjallur, ku “Shpirti dhe Nusja thonë ‘Eja!’ Dhe ai që ka etje, le të vijë; dhe ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës” (Zbulesa 22:17; Isaia 55:1).
Në mesin e festës, o Shpëtimtar, shuaje etjen e shpirtit tim me ujin e gjallë, siç i ke premtuar të gjithëve: Nëse dikush ka etje, le të vijë të pijë! O Krisht Perëndi, Burim i jetës, lavdi më Ty (Përlëshorja).
Krishti Perëndi, Krijuesi dhe Zoti i të gjithave, i ftoi të gjithë në mes të festës: Ejani dhe pini ujin e pavdekësisë! Ne falemi para Teje dhe thërrasim plot besim: Falna mëshirat e tua, se Ti je Burimi i jetës sonë!
* * * * *
– Apostull Karpi nga të 70-t –
Shën Karpi ishte dishepull i shën Pavlit, i cili transmetonte letrat e këtij të fundit te kishat e themeluara. Ktheu shumë paganë me predikimin e tij dhe u bë më pas episkop i Beresë në Thrakë (sot qyteti bullgar Stara Zagora) duke ndriçuar këtë krahinë si një diell shpirtëror.
Kryente mrekulli të shumta, çlironte të demonizuar dhe drejtonte turmën drejt Pagëzimit. Por zelli i tij apostolik i solli shumë vuajtje nga idhujtarët dhe autoritetet, por i duroi. Pasi lavdëroi Perëndinë gjatë gjithë jetës së tij, fjeti në paqe dhe lipsanet e tij të shenjta kryejnë shumë mrekulli.