APOSTULLI – Veprat e Apostujve 8:18-25.
Edhe Simoni kur pa se me vënien e duarve të apostujve jepet Fryma e Shenjtë, u pruri atyre pará, duke thënë: Jepmani dhe mua këtë pushtet, që mbi cilindo që të vë duart, të marrë Frymë të Shenjtë.
Po Pjetri i tha atij: Argjendi yt humbtë bashkë me ty, sepse pandehe se dhurata e Perëndisë fitohet me pará. Ti s’ke pjesë as short në këtë fjalë; sepse zemra jote s’është e drejtë përpara Perëndisë.
Pendohu pra nga kjo ligësia jote, edhe lutju Perëndisë, mbase të ndjehet kjo shpikje e zemrës sate; sepse po të shoh se je në vrer hidhërimi dhe në lidhje paudhësie.
Atëherë Simoni u përgjigj e tha: Lutjuni ju Zotit për mua, që të mos vijë mbi mua asnjë nga ato që thatë.
Ata pra, pasi dhanë dëshmi dhe folën fjalën e Zotit, u kthyen në Jerusalem, edhe dhanë lajmin e mirë nëpër shumë fshatra të Samaritanëve.