APOSTULLI – Veprat e Apostujve 6:1-7.

Edhe në ato ditë kur po shumoheshin nxënësit, u bë një ankim prej Greqishtarëve kundër Hebrenjve, se të vejat e tyre po liheshin pas dore në shërbimin e përditshëm. Atëherë të dymbëdhjetët thërritën grupin e nxënësve, e thanë: Nuk është e pëlqyeshme për ne të lëmë fjalën e Perëndisë, e të shërbejmë nëpër tryezat. Mendohuni pra, o vëllezër, e zgjidhni prej jush shtatë burra me dëshmi të mirë e të mbushur me Frymë të Shenjtë e me urtësi, të cilët t’i vëmë në këtë punë. Kurse ne do të qëndrojmë në falje e në shërbesën e fjalës.

Edhe kjo fjalë u pëlqye përpara të gjithë grupit; dhe zgjodhën Stefanin, burrë plot me besim e me Frymë të Shenjtë, edhe Filipin e Prohorin e Nikanorin e Timonin e Parmenain, edhe Nikollën që ishte prozelit nga Antiokia; të cilët i vunë para apostujve; edhe pasi u lutën, vunë duart mbi ata. Edhe fjala e Perëndisë shtohej, edhe numri i nxënësve shumohej fort në Jerusalem; edhe një shumicë e madhe nga priftërinjtë dëgjonin besimin.