UNGJILLI – Joani 6:14-27.
Njerëzit pra, kur panë çudinë që bëri Jisui, thoshin se me të vërtetë ky është profeti që ka për të ardhur në botë. Jisui pra, si e kuptoi se donin të vinin e ta rrëmbenin që ta bënin mbret, iku përsëri në mal vetëm.
Edhe si u ngrys, nxënësit e tij zbritën në det. Edhe hynë në lundër, edhe shkuan përtej detit në Kapernaum. Edhe tashmë ishte errësuar dhe Jisui nuk kishte ardhur tek ata. Edhe deti po ngrihej, se po frynte erë e madhe. Pasi vozitën, pra, rreth njëzet e pesë a tridhjetë stade, shohin Jisuin duke ecur mbi det dhe duke ardhur afër lundrës; edhe u frikësuan. Po ai u thotë atyre: Jam unë, mos u frikësoni. Donin pra, ta merrnin në lundër; edhe përnjëherë lundra u gjend në tokën në të cilën shkonin.
Të nesërmen turma që kishte ndenjur përtej detit, kur panë se s’kishte atje tjetër lundër, veç asaj në të cilën hynë nxënësit e tij, edhe se nuk hyri Jisui në lundër bashkë me nxënësit e tij, po vetëm nxënësit e tij, ikën. Edhe të tjera lundra erdhën nga Tiberiada afër vendit ku, pas falënderimit të Zotit, kishin ngrënë bukën; Turma pra, kur pa se Jisui nuk është atje, as nxënësit e tij, hipën edhe ata nëpër lundrat dhe erdhën në Kapernaum duke kërkuar Jisuin.
Edhe si e gjetën përtej detit, i thanë: Rabbi, kur erdhe këtu? Jisui iu përgjigj atyre e tha: Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, më kërkoni jo se patë çudira, por se hëngrët nga bukët dhe u ngopët. Mos punoni për ushqimin që prishet, po për ushqimin që mbetet për jetë të përjetshme, të cilin do t’ua japë juve i Biri i njeriut; sepse këtë e vulosi Ati, Perëndia.