– Oshënar Pahomi i Madh –

U lind prej prindërve idhujtarë në Tebaidë të Egjiptit ndërmjet viteve 290 dhe 292. Në moshën 20-vjeçare, ndërsa ishte ushtar, u josh nga virtyti i të krishterëve dhe u lirua, studioi besimin dhe u pagëzua. Po atë natë në ëndërr shijoi ëmbëlsinë e Hirit, dhe kështu vendosi që t’i kushtohej Perëndisë. Me këmbëngulje dhe durim u pranua më në fund nga eremiti i rreptë Palamon (12 gusht). Më vonë, me bekimin e tij shkoi në një fshat të braktisur në brigjet e lumit Nil, në Tabenes. Aty ndërtoi një manastir dhe ishte i pari që futi sistemin e jetës murgërore të përbashkët (kinoviake), që murgjit të rrojnë së bashku dhe, rrjedhimisht, të jenë më shumë në mbikëqyrje dhe në vartësi të arkimandritit.

Shumë herë demonët u përpoqën me çdo mënyrë ta ndalonin, por dështuan. Shumë shpejt murgjit e tij u bënë 100. Më pas u desh të hapeshin manastire të reja (320-346), zakonisht në largësi të vogla: 9 manastire burrash dhe 2 grash, të cilat i drejtonte e motra, me gjithsej 7000 (sipas një informacioni tjetër 1400) anëtarë.

Një engjëll i sugjeronte herë pas here për organizimin e vëllazërisë. Kështu, oshënari e ndau vëllazërinë në 24 urdhra, sipas shkronjave të alfabetit grek: më të urtit dhe të virtytshmit shkronja “I” – ata më të vështirët dhe të shtrembrit shkronja “ξ (ks)”! Bënte shoqëri me egërsira, fliste gjuhë të huaja, shëronte sëmundje trupore dhe shpirtërore duke përdorur predikimin së bashku me dashurinë, përulësinë, “dallueshmërinë” dhe parashikimin. Ndaj, ai dërgoi në Qiell shumë shenjtorë vartës të tij, prej të cilëve disa i shihte ndërsa i merrnin engjëjt.

Së fundi, dhe ai shkoi në Qiell (9 maj 346), pas 40 ditësh të një epidemie të tmerrshme. Sëmundja korri 100 nga etërit, gjatë një mbledhjeje të përgjithshme të pahomianëve (Pashkë 346). U varros në një vend të fshehtë, sipas dëshirës së tij, nga nxënësi i dashur, Theodhori i Shenjtëruar (16 maj), pasardhësi i tretë i tij.