– Dëshmor Isidori në Hios –

Ishte nga Aleksandria dhe toger në ushtrinë romane, nën mbretërimin e Decit (rreth 250). Arriti në Hios me flotën e drejtuar nga njëfarë Numerius, u denoncua si i krishterë nga centurioni Julius. U çua përpara admiralit, ku deklaroi me gëzim se adhuronte Jisu Krishtin, të vetmin Perëndi të vërtetë. Numerius e shtriu atëherë në tokë, e lidhi me katër hunj dhe dha urdhër ta tërhiqnin demat.

E hodhën në furrë ku doli i paprishur. Në këtë ngjarje mbërriti edhe babai i tij i cili ishte idhujtar dhe kërkoi të merrte përsipër nënshtrimin e Isidorit. Por argumentet e tij nuk patën dobi, duke shndërruar kështu edhe lidhjen që kishin në urrejtje. E lidhi të birin pas disa kuajve të egër dhe, si e tërhoqën zvarrë për shumë kohë, atletit të shenjtë të Krishtit iu pre koka.(Sipas një të dhënë më të vjetër, pas shumë pyetjesh Numerius ia preu gjuhën dhe e dënoi me prerje koke. U varros nga miku i tij Amonios). Trupin ia hodhën në një luginë që ta hanin bishat.

Por një grua besimtare, e quajtur Meropi (2 dhjetor), pasi i shpëtoi mbikëqyrjes së gardës e mori trupin dhe e varrosi me nderim. U kap e u torturua. Kur qëndronte në burg, pati një vizion të shën Isidorit në mes të një drite të shkëlqyer, i rrethuar nga rreshta engjëllore që psalnin Trishenjtorin. Ai i tha: “Paqe me ty! Ja, do të marrësh kurorën që Perëndia të ka përgatitur.”

Me këto fjalë Meropi dha frymën te Zoti dhe dhoma u mbush me parfum erëmirë. U varros pranë shën Isidorit, i cili më vonë u nderua si mbrojtës i ishullit të Hios dhe, në pellgun mesdhetar, si mbrojtësi i marinarëve. Më 1225, lipsani i tij u çua në Venecia, i cili e çliroi qytetin nga një epidemi murtaje. Në shenjë falënderimi, banorët në nderim të shenjtit ndërtuan një kishë të mrekullueshme zbukuruar me mozaikë në bazilikën e shën Markut.
Më 1967, një pjesë e lipsaneve u vendos në kishën e Hiosit.