APOSTULLI – Veprat e Apostujve 5:1-11.
Po një burrë që e kishte emrin Anania, bashkë me gruan e tij Safira, shiti një pronë; edhe mbajti nga vlera, duke e ditur edhe gruaja e tij; edhe pruri një pjesë nga paratë, edhe e vuri në këmbët e apostujve.
Po Pjetri tha: Anania, përse mbushi satanai zemrën tënde që të gënjesh Frymën e Shenjtë dhe të mbash nga vlera e arës? Nëse mbetej e pashitur, a nuk ishte jotja? Edhe si u shit, a nuk ishte në zotërimin tënd? Përse e vure në zemër këtë punë? Nuk gënjeve njerëz, po Perëndinë.
Edhe Anania, duke dëgjuar këto fjalë, ra përdhe e dha shpirt, edhe u hyri frikë e madhe të gjithë atyre që i dëgjuan këto. Edhe më të rinjtë u ngritën, edhe e mbështollën dhe e nxorën jashtë, edhe e varrosën. Edhe si shkuan rreth tri orë, hyri edhe gruaja e tij pa ditur se ç’kishte ndodhur. Edhe Pjetri i tha asaj: Thuamë, nëse për kaq e shitët tokën? Edhe ajo tha: Po, për kaq. Atëherë Pjetri i tha asaj: Përse lidhët fjalë të ngisni Frymën e Zotit?
Ja në derë janë këmbët e atyre që varrosën burrin tënd, edhe do të të nxjerrin jashtë edhe ty. Edhe menjëherë ajo ra pranë këmbëve të tij, e dha shpirt; edhe të rinjtë, kur hynë, e gjetën të vdekur, edhe si e nxorën jashtë, e varrosën pranë burrit të saj. Edhe i hyri frikë e madhe gjithë kishës, edhe gjithë atyre që i dëgjonin këto.