UNGJILLI – Joani 5:24-30

Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, se ai që dëgjon fjalën time, dhe i beson atij që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme, dhe në gjyq nuk vjen, por shkoi prej vdekjes në jetë.

Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, se vjen një orë, dhe tani është, kur të vdekurit kanë për të dëgjuar zërin e të Birit të Perëndisë, dhe ata që dëgjojnë do të rrojnë. Sepse sikurse Ati ka jetë në veten e tij, kështu i dha edhe të Birit të ketë jetë në veten e tij, dhe i dha pushtet të bëjë edhe gjyq, sepse është Bir njeriu.

Mos u çuditni për këtë; se vjen një orë, në të cilën të gjithë ata që janë nëpër varret do të dëgjojnë zërin e tij, edhe ata që kanë bërë të mira do të dalin në ngjallje jete; por ata që kanë bërë të liga, në ngjallje gjyqi. Unë s’mund të bëj asgjë prej vetes sime. Siç dëgjoj, gjykoj; dhe gjyqi im është i drejtë; sepse s’kërkoj dëshirën time, po dëshirën e Atit që më dërgoi.