UNGJILLI – Joani 5:17-24.
Po Jisui iu përgjigj atyre: Ati im punon deri tani, edhe unë punoj. Prandaj judenjtë më tepër kërkonin ta vritnin, sepse jo vetëm e prishte të shtunën, po edhe se thoshte se Perëndia është i ati i tij, duke e bërë veten e tij të barabartë me Perëndinë.
Jisui pra, u përgjigj e u tha atyre: Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve: Biri s’mund të bëjë asgjë prej vetvetes, në mos paftë Atin duke bërë këtë; sepse ato që bën ai, këto i bën gjithashtu edhe Biri. Sepse Ati e do Birin, edhe i tregon gjithë ato që ai bën; edhe do t’i tregojë punë më të mëdha se këto, që të çuditeni ju.
Sepse sikurse Ati ngjall të vdekurit dhe jep jetë, kështu edhe Biri u jep jetë atyre që do. Sepse Ati nuk gjykon asnjë, po gjithë gjyqin ia dha Birit, që të gjithë të nderojnë Birin, sikurse nderojnë Atin. Ai që nuk nderon Birin, nuk nderon Atin që e ka dërguar. Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, se ai që dëgjon fjalën time, edhe i beson atij që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme, edhe në gjyq nuk vjen, por ka shkuar prej vdekjes në jetë.