– Oshënarët Kirili e Metodi, ndriçues të sllavëve –
Ishin fëmijët e një ushtaraku të lartë në Selanik, i cili vdiq shpejt. Metodi lindi më 815 dhe Konstandini rreth vitit 827. Pesëdhjetë ditë para se të vdiste, Konstandini u dorëzua murg me emrin Kiril. Metodi ishte mbi 10 vjet guvernator i një zone të madhe (Strimonit të banuar nga sllavët). Mbasi dha dorëheqjen, murgëroi në malin Olimb të Vithinisë (në Azinë e Vogël).
Konstandini u arsimua më shumë dhe ka mundësi që të ketë pasuar, në universitetin e Konstandinopojës, profesorin e tij, Fotin e Madh (6 shkurt). Madje e kishte shoqëruar edhe në një mision tek arabët. Kur Foti bëhet patrik, e dërgoi me mision fetar te Hazarët (860). Më 862 sllavët e Moravisë (pothuajse Sllovakia e sotme) kërkojnë misionarë bizantinë dhe mbrojtje politike. “Konstandin filozofi” dhe filologu korife shpik mbas lutjes një alfabet për sllavët, “glagolitikun”. Zhvillim i të cilit është “ciriliku” ( i Kirilit), d.m.th. ai rus i sotëm.
Mbasi përkthyen Shkrimin e Shenjtë dhe librat liturgjikë, të dy vëllezërit ushtruan aktivitet të frytshëm në Moravi bashkë me nxënës të tyre. U ftuan nga papa në Romë, ku Kirili ndërron jetë në moshën 42-vjeçare (14 shkurt 869), u varros dhe u tregua çudibërës. Metodi u dorëzua atje episkop (870) dhe vazhdoi veprimtarinë e tij në Moravi dhe Panoni (Hungaria) në mes të intrigave të vazhdueshme të klerikëve latino-gjermanë.
Midis të tjerash u dënua nga sinodi i tyre, u torturua dhe u burgos (870-873). Më 882 udhëtoi në Konstandinopojë, i ftuar nga perandori Vasil I (867-886). Ndërroi jetë pak mbas kthimit të tij, më 6 prill 884.
Oshënarët, të barabartë me apostujt, të cilët festohen dhe veças, sipas ditës së fjetjes së tyre, u treguan mirëbërës shumë të mëdhenj etnikë të të gjithë sllavëve.