– Burimi Jetëdhënës –
Ishte rreth vitit 450 pas Krishtit, kur një ushtar bizantin i quajtur Leoni shëtiste në një pyll në territorin e mbretërisë së Konstandonopojës. Papritur shikon para tij një djalë të verbër, që kërkonte pak ujë për të shuar etjen e tij. Leoni me gjithë gatishmërinë e tij filloi të gjejë ujë. Kërkoi nëpër pyll, por më kot. Kështu u kthye i mërzitur te djali i verbër. Por dëgjoi një zë gruaje që i thotë: Leon nuk është nevoja që të shqetësohesh e mërzitesh, uji është pranë teje”. Dëgjon sërish zërin e panjohur ta urdhërojë: “Leon mbret, merr nga ky ujë dhe jepi djalit të verbër të pijë e të shuajë etjen, madje edhe diçka tjetër, me këtë ujë lag sytë e tij dhe do të kuptosh menjëherë se cila jam unë që po flas me ty”.
Leoni bëri në të vërtetë sipas këshillës dhe ndodhi ashtu si dëgjoi nga zëri; i verbri fitoi shikimin. Njëkohësisht u hapën dhe sytë e Leonit, i cili kuptoi se ai zë që i foli ishte i Hyjlindëses që bëri dhe mrekullinë për të verbrin. Kështu u gjet Burimi i Ujit Shpëtimtar dhe u realizua fjala e Hyjlindëses, që Leoni do të bëhej mbret, dhe u bë në vitin 486 si Leoni I, ose Markelis. Kisha jonë e nderon si shenjt më 20 janar. Leoni ndërtoi edhe një kishë për nder të Hyjlindëses së Burimit Jetëdhënës që t’i kujtojë dhuratat që ajo i bëri atij dhe gjinisë njerëzore.
* * * * *
– Kisha e Burimit Jetëdhënës –
Në këtë Burim të kësaj Kishe të shenjtë gjeti shërim edhe perandori Justinian I, Leoni VI i urti, gruaja e tij mbretëresha e shenjtë Theofano, patriarku Stefan, patriarku i Jerusalemit Joani, madje ky ujë jetëdhënës ka ngjallur edhe të vdekur. Kishën e Burimit Jetëdhënës e shkatërruan turqit, që të ndërtonin me materialet e saj tube për sulltanin Vajazit. Ndërsa të krishterët në vend të saj ndërtuan një kishëz të vogël dhe më vonë në vitin 1835 një kishë të madhe. Kisha e ndërtuar për mrekullinë e Hyjlindëses së Tërëshenjtë të Burimit Jetëdhënës festonte ditën e saj të premten e javës së ndritshme.
Kisha jonë çdo të premte pas Pashkës kremton festën e Burimit Jetëdhënës. Kjo festë u vendos si më poshtë: Në Konstandinopojë në shekullin e pestë u gjet nga mbreti Leon I, Burimi i së Tërëshenjtës, për të cilin ai ndërtoi një kishë madhështore. Kjo kishë e quajtur Kisha e Burimit Jetëdhënës për hir të shën Marisë, ngaqë e Tërëshenjta jonë pranoi në barkun e saj dhënësin dhe mbajtësin e jetës sonë, Krishtin. Kështu për ujin e bekuar që dilte nga burimi dhe shëronte njerëzit ky ishte emri më i përshtatshëm. Përurimi i kësaj kishe u bë të premten e Javës së Ndritshme dhe që atëherë u vendos që kjo e kremte të festohen gjithmonë në këtë ditë.
* * * * *
– Oshënar Nil Mirovliti –
Lindi ndoshta në vitin 1601, në Peloponez të Greqisë. Mësoi shkronjat dhe virtytin pranë xhaxhait të tij, hieromonakut Makarios. Së bashku u ushtruan në Manastirin e Malevit (po në Peloponez), ku Nili u hirotonis dhjak dhe prift. Meqenëse ata kërkonin një jetë të një niveli më të lartë, kërkuan në Malin e Shenjtë dhe gjetën një vend krejt të shkretë, ku ishte ushtruar më parë shën Petro Athoniti (12 qershor) skiti aty afër i Kafsokalivëve u krijua përfundimisht gjatë 100-vjeçarit të mëvonshëm. Pasi blenë vendin nga manastiri i Lavrës, aty afër, ata punuan me ngulm për të rregulluar florën e zonës, ndërtuan dhe pikturuan me dorën e tyre kishën e Ipapandisë.
I nipi, për shkak të vetizolimit të plotë, arriti që të zbriste në një shpellë pranë, në një greminë vertikale që përfundonte në port natyror, aty ku kishte ndalur anija që sillte shën Petron. I marrim me mend përpjekjet e tij të përhershme mbinjerëzore në këtë shpellë, përderisa ai u bë i denjë që të lëshojë miro pas fjetjes më 12 nëntor të vitit 1651. Miroja rridhte nga varri i tij, pranë shpellës, deri në det! Ndaj vinin anijet dhe merrnin nga ai, sepse shëronte sëmundjet.
Por, më pas varri i tij u harrua. Dy etër, duke dashur ta gjenin atë, gërmuan dhe një shkëmb rrëshqiti dhe dërrmoi këmbën e njërit prej tyre… Kur tjetri iku për t’i sjellë ndonjë kafshë pune, shenjti iu shfaq të plagosurit, e qortoi për guximin që kishin ndërmarrë pa bekimin e tij, dhe pastaj e shëroi. Që atëherë askush nuk e kërkoi më, deri në vitin 1815. Atëherë një murg, i pushtuar nga demonët dhe që gjithashtu vuante nga hernia, u shërua nga oshënari, i cili i tregoi në mënyrë profetike të këqijat që do të pësonte Mali i Shenjtë. Pastaj e nxiti të riparonte shtegun që të çonte drejt shpellës së tij, që të kryheshin liturgji në kishëzën, që kishte krijuar vetë brenda saj.
Atëherë vëllezërit ndërtuan pranë saj një kishëz me emrin e tij. Por, duke gërmuar themelet, gjetën varrin me lipsanin që kundërmonte erë të mirë (7 maj 1815), dhe u shëruan sëmundje të ndryshme. Varri është mbrapa Hierores.
Janë ruajtur kodikë me profeci që i dedikohen atij, por nuk duken se janë të tij. Megjithëse festa e tij është më 12 nëntor (dita e fjetjes së tij), kremtohet sot në Malin e Shenjtë për shkak të kushteve më të favorshme të motit.