UNGJILLI – Joani 3:1-15.
Edhe ishte një njeri nga Farisenjtë, që e kishte emrin Nikodhim, një nga të parët e Judenjve. Ky erdhi natën tek Jisui dhe i tha: Rabbi, e dimë se nga Perëndia ke ardhur mësues; sepse asnjë s’mund të bëjë këto shenja që bën ti, në mos qoftë Perëndia bashkë me të.
Jisui u përgjigj e i tha: Me të vërtetë, me të vërtetë po të them, nëse nuk lind dikush prej së larti, s’mund të shohë mbretërinë e Perëndisë.
Nikodhimi i thotë: Si mund të lindet një njeri duke qenë plak? Mos mundet të hyjë për së dyti në barkun e së ëmës së tij e të lindë?
Jisui u përgjigj: Me të vërtetë, me të vërtetë po të them, nëse nuk lind dikush prej uji e prej Fryme, s’mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë. Ç’ka lindur prej mishit, është mish, edhe ç’ka lindur prej Fryme, është frymë. Mos u çudit pse të thashë se duhet të lindni ju prej së larti. Era ku të dojë fryn, edhe i dëgjon zërin, po s’di nga vjen, e ku vete; kështu është edhe kushdo që ka lindur prej Fryme.
Nikodhimi u përgjigj e i tha: Si mund të bëhen këto?
Jisui u përgjigj e i tha: Ti je mësues i Izraelit, edhe nuk i di këto? Me të vërtetë, me të vërtetë po të them, se atë që dimë flasim, edhe për atë që pamë dëshmojmë, po dëshminë tonë nuk e pranoni. Nëse ju thashë juve punët e dheut, edhe nuk besoni, si do të besoni, nëse ju them punët e qiellit? Edhe asnjë s’është ngjitur në qiell, veç ai që ka zbritur nga qielli, i Biri i njeriut, që është në qiell. Edhe sikurse Moisiu ngriti lart gjarpërin në shkretëtirë, kështu duhet të ngrihet lart edhe Biri i njeriut; që të ketë jetë të përjetshme.