APOSTULLI – 1 Petro 5:6-14.
Përuluni pra nën dorën e fortë të Perëndisë, që t’ju lartësojë në kohën e duhur. Edhe gjithë kujdesin tuaj hidheni mbi atë, sepse ai kujdeset për ju.
Përmbani veten, rrini zgjuar; sepse ndërgjyqësi juaj, djalli, si luan që ulërin, vjen përqark duke kërkuar cilin të gllabërojë. Atij i rrini kundër duke qëndruar të fortë në besim, sepse e dini se po ato pësime u bëhen vëllezërve tuaj në botë. Edhe Perëndia i çdo hiri, që na thirri në lavdinë e tij të përjetshme me anë të Jisu Krishtit, pasi të pësoni pak, ai ju bëftë të përsosur, ju forcoftë, ju dhëntë fuqi, ju themeloftë. Atij i qoftë lavdia dhe pushteti në jetë të jetëve. Amin.
Me anë të Siluanit, vëllait besnik, kështu e mendoj, ju shkrova juve me pak fjalë, duke u lutur e duke dhënë dëshmi, se ky është hiri i vërtetë i Perëndisë, ky në të cilin qëndroni. Ju përshëndet kisha që është në Babilonë, që është e zgjedhur bashkë me ju, edhe Marku, biri im. Përshëndetni njëri-tjetrin me puthje dashurie.
Paqe mbi të gjithë ju që jeni në Jisu Krishtin. Amin.