– Dëshmor i madh Gjergj Trofeprurësi –
“Kur ishte 10 vjeç, i vdiq i ati, zyrtar nga Kapadokia, kështu që nga Armenia, ku jetonin atëherë, u zhvendos me nënën e tij” në atdheun e saj, Diospoli (Lidha, Lod) të Palestinës. Megjithëse vetëm 20 vjeç dhe tashmë fare jetim, ishte kont i ushtrisë romake. Gjatë përndjekjeve, kur zbuloi besimin e tij, u torturua nga perandori Dioklecian (284–305). E shpuan me shtizë, e shtypën me gurë dhe e kaluan në “rrotë” (Atë që torturonin e lidhnin të tendosur mbi një rrotë. Kur rrota rrotullohej, trupi shqyhej nga thikat dhe ganxhat që ishin poshtë vertikalisht).
Ndërkaq një engjëll e shpëtoi, kështu që besuan shumë veta dhe ua prenë kokat. U ndriçuan më shumë njerëz, sapo doli përsëri i paprekur nga një gropë gëlqereje. Më pas eci me këpucë hekuri të skuqur me gozhdë nga brenda, u rrah me kërbaç dhe iu dha helmi i magjistarit Athanas, të cilit iu pre koka, sepse u kthye duke e parë atë të mos dëmtohet, dhe madje të ngrejë një të vdekur.
Ngjalli një ka të bujkut të varfër, Gliqeri. Bujkun e varfër e therën. Në të njëjtën mënyrë u konvertua dhe mbretëreshë Aleksandra (21 prill). Së fundi, dëshmori i madh, në vend që t’iu falej idhujve të një tempulli, i bëri që të thyhen përtokë në prani të monarkut, i cili, i turpëruar, dha urdhër dhe ia prenë kokën.
Natën Trofeprurësi kishte parë në ëndërr në burg Zotin ta kurorëzonte, kështu që e kuptoi dhe porositi shërbëtorin e tij që ta varrosnin në Lidha sipas të tjerëve u martirizua atje. Sipas një tradite vrau një dragua, i cili nuk lejonte që të merrnin ujë nga liqeni, afër të cilit kishte strofkën, vetëm në rast se i jepnin njerëz për ushqim!
Stratilati (kryegjenerali) i shumëhimnizuar dhe shumë-mrekullibërës, u nderua kudo qysh herët, ndërsa kishat e tij u ndërtuan që në shekullin e 4-t. Kujtimi i tij, kur bie brenda Kreshmëve të Mëdha, transferohet të Hënën e Pashkës, për t’u festuar në mënyrë të ndritshme. Veç kësaj, më 3 nëntor festojmë vendosjen e trupit në një kishë të tij madhështore, e cila u ngrit në Lidha, sapo pushuan përndjekjet, dhe që u inaugurua në të njëjtën ditë.
Emri i tij (d.m.th. ara ose bujqësor) mendojmë se përbën një jehonë të Letrës së Parë drejtuar Korinthianëve 3.9: “Ju jeni ara e Perëndisë, ndërtesa e Perëndisë”.
———-
Ky shenjtor kremtohet në dt. 23 prill, por meqenëse këtë vit dhe sa herë që kjo datë qëllon brenda periudhës së Kreshmës së Madhe (periudhë jo festive), atëherë kremtimi i tij zhvendoset të Hënën pas Pashkës, pra të Hënën e Ndritshme.
* * * * *
– Dëshmorët Timoteu e Maura –
Ishin bashkëshortë në Tebë të Egjiptit dhe u martirizuan në vitin 286. Timoteun, që ishte anagnost (lexues) në kishë dhe predikues i besimit, pa mbushur 20 ditë nga martesa e tyre, e kapën dhe e urdhëruan të dorëzonte librat e shenjtë. Kur ai refuzoi, sovrani i nguli hekura të skuqur në veshë sa i dolën sytë nga vendi. Pastaj e torturuan me “rrotën” dhe, sa herë ajo rrokullisej, thikat poshtë saj shponin trupin e tij. U shërua nga Krishti, por arkondi u inatos: i mbushën gojën me copa lecke si fre, i lidhën në qafë një gur të rëndë dhe e sillnin vërdallë për ta poshtëruar, e varën kokëposhtë. Pastaj e burgosën.
Atëherë tirani solli Maurën. I bëri lajka, i kujtoi rininë e saj të njomë, martesën që kishte shumë pak kohë që kishte ndodhur dhe e këshilloi të zbukurohej e të shkonte ta konvertonte burrin e saj për ta shpëtuar. E reja shkoi, por u kthye ajo nga ai! Kështu i rruan kokën për ta poshtëruar, i prenë gishtërinjtë, e hodhën në ujë të përvëluar. Meqenëse mbeti e paprekur, arkondi, për të verifikuar nëse uji ishte i nxehtë ose jo, i kërkoi ta spërkaste. Vërtet, uji që e spërkati i dogji lëkurën. I zemëruar, urdhëroi ta djegin me llambadhe.
Më në fund i kryqëzoi që të dy përballë njëri-tjetrit. Ata, duke inkurajuar njëri-tjetrin, dhanë shpirt pas 10 ditësh. Djalli i paraqiti me fantazi të kryqëzuarës që digjej nga etja, një gotë me mjaltë dhe qumësht dhe pastaj një lumë të tërë me të njëjtin lëng duke e nxitur të pinte. Por trimëresha e zmbrapsi. Atëherë një engjëll e ngjiti shpirtërisht në Qiell. I tregoi atje një fron të shndritshëm dhe një kurorë të përgatitur enkas për të, dhe të njëjtat gjëra, por më të shndritshme, për burrin e saj, shkaktarin e shpëtimit të saj…
Në një fshat të Zakinthit, ishull në detin Jon, ndodhet një ikonë e saj. Thuhet se shëroi të demonizuar dhe shmangi katastrofë të kishës si edhe të besimtarëve brenda saj, kur në ditën e festës së shenjtorëve në vitin 1801, shpërtheu brenda në kishë një baule me barut.