NGA VEPRAT E APOSTUJVE 1:1-8.

Tregimin e parë, o Theofil, e bëra për gjithë sa nisi Jisui edhe të bëjë edhe të mësojë, deri në atë ditë që u mor lart në qiell, pasi u kishte dhënë urdhërime me anë të Frymës së Shenjtë apostujve që pati zgjedhur; tek të cilët edhe e tregoi veten e tij të gjallë me shumë shenja pas pësimit të tij, duke iu shfaqur atyre dyzet ditë, e duke folur për punët e mbretërisë së Perëndisë. Edhe duke ndenjur bashkë me ata i porositi të mos largohen nga Jerusalemi, por të presin premtimin e Atit “që e dëgjuat, u tha, prej meje. Sepse Joani pagëzoi me ujë, por ju do të pagëzoheni me Frymë të Shenjtë jo pas shumë ditësh”.

Ata pra, kur u mblodhën bashkë me të, e pyesnin duke thënë: Zot, vallë, në këtë kohë do të rivendosësh mbretërinë e Izraelit? Edhe ai u tha atyre: Nuk është për ju të njihni kohët a motet, që Ati i ka vënë në pushtetin e vet. Por do të merrni fuqi, kur të vijë Fryma e Shenjtë mbi ju; edhe do të më jeni dëshmitarë edhe në Jerusalem edhe në gjithë Judenë edhe në Samari edhe deri në fund të dheut.