NGA UNGJILLI I MARKUT 16:1-8.
Edhe si shkoi e shtuna, Maria Magdalena, edhe Maria e Jakovit, edhe Saloma, blenë erëra, që të vijnë e ta lyejnë. Edhe shumë herët në mëngjes, të parën ditë të javës, vijnë në varr, sapo lindi dielli. Edhe thoshin në mes tyre:
Cili do të na rrokullisë gurin prej derës së varrit?
Edhe kur hodhën sytë, shohin se guri ishte rrokullisur; sepse ishte fort i madh.
Edhe si hynë në varr, panë një djalosh duke ndenjur në të djathtë, të veshur me rroba të bardha; edhe u trembën. Po ai u thotë atyre: Mos u trembni; kërkoni Jisu Nazaretasin, që u kryqëzua. U ngjall, nuk është këtu. Ja vendi ku e vunë. Po shkoni, e u thoni nxënësve të tij dhe Pjetrit se shkon më përpara se ju në Galile. Atje do ta shihni, siç ju tha juve. Edhe ato dolën e ikën nga varri; sepse i kishte zënë tmerr e habi; edhe asnjeriu s’i thanë gjë, sepse kishin frikë.
* * * * *
NGA UNGJILLI I JOANIT 1:1-17.
Në fillim ishte Fjala, edhe Fjala ishte me Perëndinë, edhe Perëndi ishte Fjala. Kjo ishte që në fillim me Perëndinë. Të gjitha u bënë me anë të saj; edhe pa atë nuk u bë asgjë që është bërë. Në atë ishte jetë, edhe jeta ishte drita e njerëzve. Edhe drita ndriçon në errësirë edhe errësira nuk e kuptoi.
Qe një njeri i dërguar nga Perëndia, me emrin Joan. Ky erdhi për dëshmi, që të dëshmojë për Dritën, që të besojnë të gjithë me anë të tij. Nuk ishte ai Drita, por qe dërguar që të dëshmojë për Dritën.
Ishte Drita e vërtetë, që ndrit çdo njeri që vjen në botë. Ishte në botë, edhe bota u bë me anë të tij; po bota nuk e njohu atë. Erdhi në të tijat, edhe të tijtë nuk e pritën atë. Edhe sa e pritën, atyre u dha pushtet të bëhen bij Perëndie, atyre që besojnë në emrin e tij. Ata nuk lindën prej gjakrash, as prej dëshirimi mishi, as prej dëshirimi burri, po prej Perëndie.
Edhe Fjala u bë mish, edhe banoi ndër ne, dhe pamë lavdinë e tij, lavdi si të vetëmlinduri prej Atit, plot me hir e me të vërtetë.
Joani dëshmon për të, edhe thirri, duke thënë: Ky është ai për të cilin thashë: Ai që vjen pas meje është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje.
Edhe të gjithë ne morëm nga plotësia e tij, edhe hir mbi hir. Sepse ligji u dha me anë të Moisiut, po hiri dhe e vërteta u bë me anë të Jisu Krishtit.