NGA LIBRI I GJENEZËS 1:1-13.
Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën. Toka ishte pa trajtë, e zbrazët dhe errësira mbulonte sipërfaqen e humnerës; dhe Fryma e Perëndisë fluturonte mbi sipërfaqen e ujërave. Pastaj Perëndia tha: “U bëftë drita!”. Dhe drita u bë. Dhe Perëndia pa që drita ishte e mirë; dhe Perëndia e ndau dritën nga errësira. Dhe Perëndia e quajti dritën “ditë” dhe errësirën “natë”. Kështu erdhi mbrëmja e pastaj erdhi mëngjesi: dita e parë.
Pastaj Perëndia tha: “Le të jetë një kupë qiellore mes ujërave, që t’i ndajë ujërat nga ujërat”. Dhe Perëndia krijoi kupën qiellore dhe ndau ujërat që ishin poshtë saj nga ujërat që ishin sipër saj. Dhe kështu u bë. Dhe Perëndia e quajti kupën qiellore “qiell”. Kështu erdhi mbrëmja, pastaj erdhi mëngjesi: dita e dytë.
Pastaj Perëndia tha: “Ujërat që janë nën qiellin të grumbullohen në një vend të vetëm dhe të shfaqet tera”. Dhe kështu u bë. Dhe Perëndia e quajti terën “tokë” dhe grumbullimin e ujërave “detë”. Dhe Perëndia pa që kjo ishte mirë. Pastaj Perëndia tha: “Të mbijë toka gjelbërimin, barërat të nxjerrin farë dhe drurët frutore të japin në tokë një frut që të përmbajë farën e tij, secili simbas llojit të tij”. Dhe kështu u bë. Dhe toka prodhoi gjelbërim, barëra që e bënin farën simbas llojit të tyre dhe drurë që mbanin fruta me farën e tyre brenda, secili simbas llojit të vet. Dhe Perëndia e pa se kjo ishte mirë. Kështu erdhi mbrëmja, pastaj erdhi mëngjesi; dita e tretë.
* * * * *
NGA LIBRI I PROFETIT JONAI 1:1-4:11.
Dhe fjala e Zotit iu drejtua Jonas, birit të Amitait, duke thënë: Çohu, shko në Ninive, qytet i madh, dhe prediko kundër tij, sepse ligësia e tyre është ngjitur përpara meje. Por Jonai u ngrit për të ikur në Tarshish, larg pranisë të Zotit. Kështu zbriti në Jafa, ku gjeti një anije që shkonte në Tarshish. Pagoi çmimin e caktuar dhe hipi në anije për të shkuar me ta larg pranisë të Zotit.
Por Zoti shpërtheu një erë të fortë në det dhe u ngrit një furtunë e madhe në det, kështu që anija rrezikonte të shkallmohej. Detarët, të trembur, i thirrën secili perëndisë së vet dhe hodhën në det ngarkesën që ishte në anije për ta lehtësuar. Ndërkaq Jonai kishte zbritur në pjesët më të fshehta të anijes, kishte rënë dhe flinte thellë. Kapiteni iu afrua dhe i tha: “Çfarë po bën në gjumë kaq të thellë? Çohu, kërko Perëndinë tënd! Ndofta Perëndia do të kujdeset për ne dhe nuk do të vdesim”.
Pastaj i thanë njeri tjetrit: “Ejani, të hedhim short për të ditur për shkak të kujt na ra në kokë kjo fatkeqësi”. Kështu hodhën shortin dhe shorti ra mbi Jonan. Atëherë e pyetën: “Na shpjego për shkak të kujt na ra në kokë kjo fatkeqësi. Cili është zanati yt? Nga vjen? Cili është vendi yt? Cilit popull i përket?”. Ai u përgjigj atyre: “Unë jam hebre dhe kam frikë nga Zoti, Perëndia i qiellit, që ka bërë detin dhe sterenë”.
Atëherë ata njerëz i pushtoi një frikë e madhe dhe i thanë: “Pse e bërë këtë?”. Ata në fakt e kishin vënë re që ai ikte larg pranisë të Zotit, sepse ua kishte thënë atyre. Ata i thanë: “Çfarë duhet të bëjmë që deti të na qetësohet?”. Në fakt deti po bëhej gjithnjë më i stuhishëm. Ai iu përgjigj atyre: “Më zini dhe më hidhni në det dhe deti do të qetësohet, sepse unë e di që kjo furtunë e madhe ju ra mbi kokë për shkakun tim”. Megjithatë ata njerëz vozitnin me forcë për ta kthyer anijen në breg, por nuk ia dilnin dot, sepse deti bëhej gjithnjë më i stuhishëm kundër tyre. Prandaj i klithën Zotit dhe i thanë: “O Zot, mos lejo që të vdesim për shkak të jetës së këtij njeriu dhe mos na fajëso me gjak të pafajshëm, sepse ti, o Zot, ke bërë si ke dashur”.
Pastaj e zunë Jonan dhe e hodhën në det, dhe tërbimi i detit u fashit. Ata njerëz atëherë i zuri një frikë e madhe nga Zoti, i ofruan një flijim Zotit dhe u betuan. Zoti kishte përgatitur një peshk të madh që të gëlltiste Jonan; dhe Jonai qëndroi tri ditë dhe tri netë në barkun e peshkut.
Atëherë Jonai iu lut Zotit, Perëndisë të tij, nga barku i peshkut dhe tha: Në fatkeqësinë time i thirra Zotit dhe ai m’u përgjigj; nga gjiri i Sheolit i thirra dhe ti e dëgjove zërin tim. Më hodhe në një vend të thellë, në zemër të deteve, rryma më mori dhe gjithë dallgët e tua dhe valët e tua më kaluan sipër. Atëherë thashë: U dëbova nga prania jote. Megjithatë do të shikoj akoma në drejtim të tempullit tënd të shenjtë.
Ujërat më kanë rrethuar deri në shpirt, humnera më ka mbështjellë, algat u mblodhën rreth kokës sime. Zbrita deri në themelet e maleve, toka mbylli shufrat e saj pas meje për gjithnjë, por ti e ngrite jetën time nga gropa, o Zot, Perëndia im. Kur shpirti im po ligështohej brenda meje, kujtova Zotin, dhe lutja ime arriti deri te ti, në tempullin tënd të shenjtë. Ata që jepen pas kotësive të rreme braktisin vetë burimin e hirit të tyre. Por unë me zëra lëvdimi do të ofroj flijime dhe do të plotësoj betimet që kam bërë. Shpëtimi i përket Zotit”.
Atëherë Zoti i foli peshkut dhe peshku e volli Jonan në breg.
Fjala e Zotit iu drejtua Jonas për herë të dytë, duke thënë: Çohu, shko në Ninive, qyteti i madh, dhe shpalli atij mesazhin që po të urdhëroj. Kështu Jonai u ngrit dhe shkoi në Ninive, sipas fjalës të Zotit. Ninivie ishte një qytet shumë i madh përpara Perëndisë, që donte tri ditë rrugë për ta përshkuar. Jonai nisi të futet në qytet në një ditë rrugë dhe duke predikuar tha: “Edhe dyzet ditë dhe Ninive do të shkatërrohet”.
Atëherë Niniveasit i besuan Perëndisë, shpallën një agjërim dhe u veshën me thes, nga më i madhi deri te më i vogli nga ata. Kur lajmi i vajti mbretit të Ninivet, ai u ngrit nga froni, hoqi mantelin e tij, u mbulua me thes dhe u ul mbi hi. Me dekret të mbretit dhe të të mëdhenjve të tij, shpalli dhe përhapi pastaj në Ninive një urdhër që thoshte: “Njerëzit dhe kafshët, kopetë dhe tufat të mos kërkojnë asgjë, të mos hanë ushqim dhe të mos pijnë ujë; por njerëzit dhe kafshët të mbulohen me thes dhe t’i thërresin me forcë Perëndisë; secili të kthehet nga rruga e tij e keqe dhe nga dhuna që është në duart e tij. Ku ta dish në ktheftë Perëndia, në u pendoftë dhe lëntë mënjanë zemërimin e tij të zjarrtë, dhe kështu ne nuk vdesim”.
Kur Perëndia pa atë që bënin, domethënë që po ktheheshin nga rruga e tyre e keqe, Perëndia u pendua për të keqen që kishte thënë se do t’u bënte dhe nuk e bëri.
Por kjo nuk i pëlqeu aspak Jonas, i cili u zemërua. Kështu ai iu lut Zotit, duke thënë: “O Zot, a nuk ishte vallë kjo që unë thoja kur isha akoma në vendin tim? Prandaj ika në fillim në Tarshish, sepse e dija që je një Perëndi i mëshirshëm dhe plot dhembshuri, i ngadalshëm në zemërim dhe me shumë dashamirësi, dhe që pendohesh për të keqen e hakërruar. Tani, pra, o Zot, të lutem, ma hiq jetën, sepse për mua është më mirë të vdes se sa të rroj”. Por Zoti i tha: “A të duket e drejtë të zemërohesh kështu?”.
Atëherë Jonai doli nga qyteti dhe u ul në lindje të qytetit; atje bëri një kasolle dhe u ul nën të, në hije, që të mund të shikonte çfarë do t’i ndodhte qytetit. Atëherë Zoti Perëndi përgatiti një bimë që u rrit përmbi Jonan, për t’i bërë hije kokës së tij dhe për ta çliruar nga e keqja e tij; dhe Jonai ndjeu një gëzim të madh nga kjo bimë. Të nesërmen në të gdhirë Perëndia dërgoi një krimb që i ra bimës, dhe kjo u tha. Kur u ngrit dielli Perëndia solli një erë mbytëse nga lindja, dhe dielli i ra në kokë Jonas, që e ndjeu veten të ligështuar dhe kërkoi të vdesë, duke thënë: “Për mua është më mirë të vdes se sa të rroj”.
Perëndia i tha Jonas: “A të duket e drejtë të zemërohesh kështu për bimën?”. Ai u përgjigj: “Po, është e drejtë për mua të zemërohem deri në vdekje”. Por Zoti tha: “Ty të erdhi keq për bimën për të cilën nuk je munduar dhe nuk e ke rritur, dhe që një natë u rrit dhe në një natë mbaroi. Dhe mua nuk duhet të më vijë keq për Niniven, qytetin e madh, në të cilin ka njëqind e njëzetmijë veta që nuk dijnë të dallojnë të djathtën e tyre nga e majta e tyre, dhe një sasi të madhe kafshësh?”.
* * * * *
NGA LIBRI I PROFETIT DANIEL 3:1-23, 51-88.
Mbreti Nabukodonosor urdhëroi të ndërtohet një figurë prej ari, e lartë gjashtëdhjetë kubitë dhe e gjerë gjashtë kubitë, dhe e ngriti në fushën e Duras, në krahinën e Babilonisë. Pastaj mbreti Nabukodonosor dërgoi njerëz të mbledhin satrapët, prefektët, qeveritarët, gjykatësit, nëpunësit e thesarit, këshilltarët e shtetit, ekspertët e ligjit dhe tërë autoritetet e krahinave, me qëllim që të vinin në përurimin e figurës që mbreti Nabukodonosor kishte ngritur.
Atëherë satrapët, prefektët dhe qeveritarët, gjykatësit, nëpunësit e thesarit, këshilltarët e shtetit, ekspertët e ligjit dhe tërë autoritetet e krahinave u mblodhën bashkë për përurimin e figurës që kishte ngritur mbreti Nabukodonosor, dhe qëndruan në këmbë përpara figurës që Nabukodonosori kishte ngritur. Pastaj kasneci thirri me zë të lartë: “Juve, popuj, kombe dhe gjuhë, ju jepet urdhër që, sapo të dëgjoni zërin e bririt, të flautit, të qestes, të lirës, të salterit, të gajdes dhe të çdo lloji vegle, të bini përmbys për të adhuruar figurën prej ari që ka ngritur mbreti Nabukodonosor; kushdo që nuk do të bjerë përmbys për të adhuruar, do të hidhet menjëherë në mes të një furre zjarri përvëlues”. Kështu, me të dëgjuar tërë popujt zërin e bririt, të flautit, të qestes, të lirës, të salterit dhe të çdo lloji vegle, tërë popujt, kombet dhe gjuhët ranë përmbys dhe adhuruan figurën e artë, që mbreti Nabukodonosor kishte ngritur.
Për këtë arësye në atë çast, disa Kaldeas dolën dhe paditën Judejtë; duke marrë fjalën, i thanë mbretit Nabukodonosor: “O mbret, jetofsh për jetë! Ti, o mbret, ke nxjerrë një dekret, në bazë të të cilit kushdo që ka dëgjuar zërin e bririt, të flautit, të qestes, të lirës, të salterit, të gajdes dhe të çdo lloji vegle duhet të bjerë përmbys për të adhuruar figurën e artë; dhe ai që nuk bie përmbys dhe nuk adhuron, duhet të hidhet në mes të një furre me zjarr përvëlues. Por ka disa Judej që i ke vënë në krye të administrimit të punëve të krahinës së Babilonisë, Shadraku, Meshaku dhe Abed-nego, që nuk kanë asnjë konsideratë për ty; nuk u shërbejnë perëndive të tua dhe nuk adhurojnë figurën e artë që ti ke ngritur”.
Atëherë Nabukodonosori, i zemëruar dhe i tërbuar, urdhëroi që të sillnin Shadrakun, Meshakun dhe Abed-negon; kështu këta njerëz u çuan para mbretit. Nabukodonosori u drejtoi atyre fjalën, duke thënë: “Shadrak, Meshak dhe Abed-nego, a është e vërtetë që nuk u shërbeni perëndive të mia dhe nuk adhuroni figurën e artë që unë kam ngritur? Tani, posa të dëgjoni zërin e bririt, të flautit, të qestes, të lirës, të salterit, të gajdes dhe të çdo lloj vegle, në rast se jeni gati të bini përmbys për të adhuruar figurën që unë kam bërë, mirë; por në rast se nuk do ta adhuroni, do t’ju hedhin menjëherë në mes të një furre të ndezur; dhe cila ështe ajo perëndi që do të mund t’ju çlirojë nga duart e mia?
Shadraku, Meshaku dhe Abed-nego iu përgjigjën mbretit, duke thënë: “O Nabukodonosor, ne nuk kemi nevojë të të japim përgjigje lidhur me këtë. Ja, Perëndia ynë, të cilit i shërbejmë, është në gjendje të na çlirojë nga furra e ndezur, dhe do të na çlirojë nga dora jote, o mbret. Por edhe sikur të mos e bënte, dije, o mbret, që ne nuk do t’u shërbejmë perëndive të tua dhe nuk do të adhurojmë figurën e artë që ti ke ngritur”.
Atëherë Nabukodonosori u mbush me inat dhe shprehja e fytyrës së tij ndryshoi ndaj Shadrakut, Meshakut dhe Abed-negos. Duke marrë përsëri fjalën, urdhëroi që furra të ngrohej shtatë herë më shumë se zakonisht. Pastaj urdhëroi disa njerëz të fortë dhe trima të ushtrisë së tij të lidhnin Shadrakun, Meshakun dhe Abed-negon dhe t’i hidhnin në furrën e zjarrit përvëlues. Atëherë këta tre burra i lidhën dhe, me pantallonat e tyre, me tunikën e tyre dhe me gjitha mbulesën e tyre të kokës dhe i hodhën në mes të furrës me zjarr përvëlues. Por me qenë se urdhëri i mbretit ishte i rreptë dhe furra ishte jashtëzakonisht e mbingrohur, flaka e zjarrit vrau njerëzit që kishin hedhur në të Shadrakun, Meshakun dhe Abed-negon. Dhe këta tre burra, Shadraku, Meshaku dhe Abed-nego, ranë të lidhur në mes të furrës me zjarr përvëlues.
Ata shëtisnin në mes të flakëve, lavdëronin Perëndinë dhe e bekonin Zotin. Azaria u ngrit në këmbë, u lut kështu, e duke hapur gojën në mes të zjarrit tha: I bekuar je o Zot, Perëndia i etërve tanë, i madhërueshëm, emri yt i lavdishëm në shekuj. Sepse je i drejtë në gjithçka na bëre të gjitha veprat e tua e udhët e tua janë të drejta, të gjitha gjyqet e tua të vërteta. Ke marrë vendim të drejtë në të gjitha gjërat që ke bërë të vijnë mbi ne e mbi qytetin e shenjtë të etëve tanë, Jerusalem! Sepse për shkak të mëkateve tona Ti u solle me ne kështu me të vërtetë e me drejtësi.
Vërtet mëkatuam e vepruam paudhësisht duke u larguar prej teje, porse tepër shumë mëkatuam! Si dëgjuam urdhërimet e tua, as nuk i mbajtëm, nuk bëmë ashtu si na urdhërove për të mirën tonë! Prandaj, gjithçka çove mbi ne e gjithçka na bëre na e bëre plotësisht me të drejtë! Na lëshove në duar të armiqve tanë keqbërësve, kryekëcyerve më të mbrapshtë, në duar të një mbreti të padrejtë, më të ziut që ishte mbi tokë. Tani as guxojmë ta hapim goj: turpi e tallja i mbuloi ata që të shërbejnë e të adhurojnë ty.
Oh, mos na lësho përgjithmonë për hir të emrit tënd dhe mos e prish dhiatën tënde; as mos e tërhiq mëshirën tënde prej nesh, për hir të Abrahamit, të dashurit tënd, për hir të Isakut, shërbëtorit tënd dhe për hir të Izraelit, shërbëtorit tënd, të cilëve u zotove se do tˈua shumosh farën porsi yjet e qiellit e porsi rërën e detit. Sepse, o Zot, jemi mplakur më shumë se të gjithë popujt, të përvuajtur kudo mbi mbarë tokën në ditën e sotme për shkak të mëkateve tona!
Ne në këtë kohë nuk kemi princ as profet as prijës, fli shkrumbimi, therore, as kushtime nuk kemi, as vend ku të kushtojmë ty flitë e fryteve të para që të mund të gjejmë mëshirë. Por na prano me shpirt të përgrirë e të përvuajtur në shpirt, porsi fli shkrumbimi deshën e deshësh e mëzetërish, porsi mijëra qengja të majmë e tillë le të jetë flija jonë para teje sot dhe përsosna ne që të vemi pas teje sepse sˈdo të turpërohen ata që shpresën e kanë vënë në ty.
Tani do të vemi pas teje me gjithë zemër, ty do të të nderojmë, fytyrën tënde do të kërkojmë. Mos na turpëro, por sillu me ne sipas butësisë sate e sipas madhërisë së mëshirës sate. Na shpëto me mrekullitë e tua lavdi jepi emrit tënd, o Zot! Të turpëruar le te mbeten të gjithë ata që duan të keqen e shërbëtorëve të tu, u turpërofshin e mbetshin pa farë pushtetit, u theftë hovi, pa fuqi mbetshin! Le ta dinë se ti je Zot, Perëndi i vetëm, në mbarë botën i lavdishëm.
Shërbëtorët e mbretit që i hodhën ata në furrë, nuk pushonin të hidhnin në të vaj toke, li, peshq e rrozga. Flaka çohej përmbi furrë dyzet e nëntë kut, shpërtheu e dogji edhe kaldenjtë që ishin përbri furrës. Ndërkaq, engjëlli i zotit zbriti te Azaria e shokët e tij në furrë dhe e dëboi flakën e zjarrit nga furra, e frynte në midis të furrës një freski vese. Zjarri aspak nuk i preku as sˈu shkaktoi dhimbje as trazim.
Atëhere këta të tre, pothuajse njëzëri e lavdëronin, e madhëronin dhe e kërkonin Perëndinë në furrë e thoshin:
I bekuar je, o Zot, Perëndi i etërve tanë, i lavdishëm e i përmbilartësuar për gjithë jetët!
I bekuar emri i shenjtë i lavdisë sate, i përmbilavdishëm e i përmbimadhërueshëm për gjithë jetët!
I bekuar je në Tempullin e lavdisë sate, i përmbilavdishëm e i përmbimadhërueshëm për gjithë jetët!
I bekuar je, ti që shqyrton humnerat e që rri mbi keruvimet, i lavdishëm e i përmbimadhërueshëm për gjithë jetët!
I bekuar je në fronin e mbretërisë sate, i përmbilavdishëm e i përmbimadhërueshëm për gjithë jetët!
I bekuar je në kupën qiellore, i lavdishëm e i përmbimadhërueshëm për gjithë jetët!
* * * * *
NGA LETRA DREJTUAR ROMAKËVE 6:3-11.
A nuk e dini, se të gjithë sa u pagëzuam në Jisu Krishtin, në vdekjen e tij u pagëzuam? U varrosëm pra bashkë me të me anë të pagëzimit në vdekjen, që, siç u ngjall Krishti prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne të ecim në jetë të re. Sepse në u bashkëmbollëm me të sipas shëmbëllimit të vdekjes së tij, do të jemi edhe sipas shëmbëllimit të ngjalljes së tij. Duke ditur këtë, se njeriu ynë i vjetër u kryqëzua bashkë me të, që të prishet trupi i mëkatit, që të mos i shërbejmë më mëkatit. Sepse ai që vdiq u çlirua nga mëkati. Edhe nëse vdiqëm bashkë me Krishtin, besojmë se edhe do të rrojmë bashkë me të. Sepse e dimë se Krishti, që u ngjall prej së vdekurish, nuk vdes më; vdekja nuk e pushton më atë. Sepse ai që vdiq, vdiq një herë për mëkatin; po ai që rron, rron në Perëndinë. Kështu llogariteni edhe ju veten tuaj, se jeni të vdekur për mëkatin, por të gjallë në Perëndinë, me anë të Jisu Krishtit, Zotit tonë.
* * * * *
NGA UNGJILLI I MATTHEUT 28:1-20.
Edhe si shkoi e shtuna, duke gdhirë e Dielë, që është e para ditë e javës, erdhi Maria Magdalena, edhe Maria tjetër, që të shihnin varrin. Edhe ja tek u bë një tërmet i madh; sepse engjëlli i Zotit zbriti nga qielli dhe erdhi e rrokullisi gurin nga dera e varrit, edhe rrinte sipër tij. Edhe pamja e tij ishte si vetëtimë, edhe rroba e tij e bardhë si dëborë. Edhe ata që ruanin, u drodhën nga frika e atij, edhe u bënë si të vdekur. Edhe engjëlli u përgjigj e u tha grave: Mos kini frikë ju, sepse e di se kërkoni Jisuin që u kryqëzua. Nuk është këtu, sepse u ngjall, siç pati thënë. Ejani, shihni vendin ku dergjej Zoti. Edhe shkoni shpejt e u thoni nxënësve të tij se u ngjall prej së vdekurish; edhe ja tek po shkon më përpara se ju në Galile; atje do ta shihni atë. Ja tek jua thashë juve.
Edhe ato dolën shpejt nga varri me frikë e me gëzim të madh, edhe vrapuan të lajmëronin nxënësit e tij. Edhe duke shkuar t’u jepnin zë nxënësve të tij, ja Jisui i takoi ato, e u tha: Gëzohuni. Edhe ato i erdhën pranë e i zunë këmbët dhe iu falën. Atëherë Jisui u tha atyre: Mos kini frikë, shkoni, lajmëroni vëllezërit e mi që të shkojnë në Galile, edhe atje do të më shohin.
Edhe ndërsa ato ishin duke shkuar, ja ca nga rojet tek erdhën në qytet e lajmëruan kryepriftërinjtë për gjithë sa u bënë. Edhe ata u mblodhën bashkë me pleqtë dhe, si u këshilluan, u dhanë ushtarëve mjaft argjend, duke thënë: Thoni se nxënësit e tij erdhën natën dhe e vodhën, ndërsa ne po flinim. Edhe në u dëgjoftë kjo nga qeveritari, ne do t’i mbushim atij mendjen dhe do të bëjmë që ju të mos keni përgjegjësi. Edhe ata si morën argjendët, bënë siç u mësuan. Edhe kjo fjalë u përhap nëpër Judenjtë deri në ditët e sotme.
Edhe të njëmbëdhjetë nxënësit shkuan në Galile, në malin që i pati porositur Jisui. Edhe kur e panë, iu falën atij; po disa nga ata nguruan. Edhe Jisui erdhi pranë e u foli atyre, duke thënë: M’u dha çdo pushtet në qiell e mbi dhe. Shkoni pra e mësoni gjithë kombet, edhe i pagëzoni në emrin e Atit e të Birit dhe të Frymës së Shenjtë.
Edhe i mësoni ata të ruajnë gjithë sa ju kam porositur juve. Edhe ja, unë jam bashkë me ju gjithë ditët deri në mbarim të jetës. Amin.