Zbritja nga Kryqi – Varrimi, Vajtimet dhe Epitafi – Zbritja e Zotit Jisu Krisht në Hadh.
Shërbesa e parë që i përket të Shtunës së Madhe, quajtur në Kishë Sabati i Bekuar, kryhet në MBRËMJEN e së Premtes së Zezë. Zakonisht kryhet mbasdite për të përkujtuar varrimin e Krishtit. Përpara se të fillojë shërbesa, është përgatitur një “varr” (Kuvuklion) në mes të Kishës dhe është zbukuruar me lule. Gjithashtu një ikonë e veçantë e pikturuar ose e qëndisur në një pëlhurë (në greqisht epitafios dhe në sllavisht plashanica), ku paraqitet Shpëtimtari i vdekur, është e vendosur në Tryezën e Shenjtë.
Shërbesa e Mbrëmësores, si zakonisht fillon me himne rreth vuajtjes dhe vdekjes së Krishtit. Mbas hyrjes me Ungjillin dhe këndimin e “Dritë Gazmore”, lexohen pjesë prej Eksodit, Jobit dhe Isaisë 52. Apostulli është 1 Korinthianët (1:18-31) dhe Ungjilli përbëhet nga pjësët e katër Ungjijve, që tregojnë kryqëzimin dhe varrimin e Krishtit. Paravargu dhe vargjet që thuhen para këndimeve nga Shkrimi i Shenjtë, janë prej psalmeve, të cilat janë tashmë dëgjuar gjatë shërbesave të së Premtes së Zezë. Ata janë vargje me një kuptim profetik: Ata ndanë midis tyre rrobat e mia dhe hodhën short për tunikën time (Psalmi 22:18) Perëndia im, Perëndia im, përse më braktise (Psalmi 22:1). Më vunë në gropën më të poshtme, më të errët dhe më të thellë (Psalmi 88:6).
Mbas disa himneve që lavdërojnë vdekjen e Krishtit, ndërkohë që kori këndon këngën përlëshuese të Shën Simeonit, prifti, i veshur i tëri me rroba të errta, temjanis epitafin, i cili ndodhet mbi Tryezën e Shenjtë. Pastaj, mbas Ati Ynë, ndërsa populli këndon troparin e ditës (përlëshoren), prifti shkon rrotull altarit, duke mbajtur mbi kokën e tij epitafin dhe e vendos në varrin, që ta nderojnë besnikët. Bujari Shën Josif, pasi e zbriti trupin tënd prej Kryqit të Çmuar, e mbështolli me savan të paqmë, e leu me vajra erëmirë dhe e vendosi në një varr të ri(Përlëshore e së Shtunës së Madhe).
Shërbesa e Mëngjesit e së Shtunës së Madhe, zakonisht bëhet të Premten natën. Ajo fillon në mënyrë normale me këndimin e Perëndia është Zoti, përlëshoren Bujari Josif dhe troparet pasuese: Zbrite në vdekje dhe në varr për ne, ti o jetë e pavdekshme, Ferrin të vdekur e shtrive kur ndriçove si Perëndi; edhe kur i ngrite të vdekurit nga fundet e dheut, të gjitha fuqitë qiellore thirrën me zë të madh: O Krisht Perëndia Ynë Jetëdhënës, lavdi më Ty! Një engjëll qëndroi para varrit dhe iu thirri grave myrrëprurëse: Myrra është e përshtatshme për të vdekurit, por Krishti e tregoi veten të çliruar prej prishjes.
Në vend të psalmeve të zakonshëm, lexohet i tërë Psalmi 119, me një varg që këndohet ndërmjet rreshtave, varg që lavdëron Shpëtimtarin e vdekur. Ky psalm i veçantë është ikona verbale e Jisuit, e njeriut të drejtë, jeta e të cilit është në duart e Perëndisë, prandaj dhe ai nuk mund të qëndrojë i vdekur. Lavdërimet, sikurse janë quajtur vargjet, e lavdërojnë Perëndinë si “Ngjallja dhe Jeta” dhe tregojnë habi për zbritjen e tij në vdekje. Në personin e Jisu Krishtit është unifikimi i përsosur i dashurisë së përsosur të njeriut ndaj Perëndisë dhe i dashurisë së Perëndisë ndaj njeriut. Kjo dashuri hyjnore-njerëzore soditet dhe lavdërohet mbi varrin e Shpëtimtarit. Me përparimin e këndimit, Lavdërimet bëhen më të shkurtra dhe gradualisht, më të përqendruara në fitoren përfundimtare të Zotit, duke ardhur kështu në përfundimin e duhur: Unë e dëshiroj me mall, o Zot, shpëtimin tënd dhe ligji yt është gëzimi im (Psalmi 119:174).
Mendja është e trembur nga varrimi yt i frikshëm dhe i çuditshëm. Lermë të jetoj, që të të lavdëroj dhe le të më ndihmojnë dekretet e tua (Psalmi 119:175). Gratë me myrra erdhën herët që të lyenin Ty. Unë po endem si një dele e humbur. Kërkoje shërbëtorin tënd, se nuk i harrova porositë e tua. Me ngjalljen Tënde fali Kishës paqe dhe popullit Tënd shpëtim. Mbas lavdërimit final të Trinisë së Shenjtë, Kisha ndriçohet dhe kumbon lajmërimi i parë i grave, që po vijnë në varr, nëpërmjet popullit, ndërsa prifti temjanis tërë Kishën. Këtu, për herë të parë, vjen e qartë shpallja e lajmit të mirë të shpëtimit në Ngjalljen e Krishtit.
Kanoni i Mëngjesores vazhdon lavdërimin e fitores së Krishtit mbi vdekjen me anë të vdekjes së tij dhe e përdor secilën nga këngët e Dhiatës së Vjetër, si një shëmbëllesë parafigurative të shpëtimit përfundimtar të njeriut nëpërmjet Jisuit. Këtu, për herë të parë del kuptimi që ky Sabat – kjo e Shtunë e veçantë, në të cilën Krishti shtrihet i vdekur- është me të vërtetë dita e shtatë e bekuar, një ditë më e mirë se kjo kurrë nuk ka ekzistuar. Kjo është dita kur Krishti pushoi nga tërë veprat e tij të rikrijimit të botës. Kjo është dita kur Fjala e Perëndisë “me anë të cilës u bënë të gjitha gjërat” (Joani 1:3), pushoi në varr, si një njeri i vdekur, duke e shpëtuar botën e krijimit të tij dhe duke hapur varret:
Po ky është Sabati i përmbibekuar, në të cilin Krishti fle, por do të ngjallet ditën e tretë (Shkurtorja dhe Shtëpia). Përsëri Kanoni mbaron me notën finale të fitores së Krishtit. Mos më vajto ti moj Nënë, kur më sheh të varrosur, Birin e dashur, që ke lindur virgjërisht, se do të ngrihem prapë dhe do të lavdërohem dhe do t’i lartësoj si Perëndi, ata që të madhështojnë besërisht (Kënga e nëntë e Kanonit). Vazhdohet të këndohen vargje lavdërimi.
Në kohën kur këndohet Dhoksologjia e Madhe, prifti i veshur me rroba të errta, temjanis përsëri varrin e Shpëtimtarit. Pastaj, populli me qirinj të ndezur, duke kënduar në mënyrë të përsëritur Himnin Trishenjtor, i kryesuar nga prifti që mban Ungjillin në duar dhe mbi kokë mban epitafin, shkon në procesion jashtë Kishës. Ata shkojnë rrotull kishës, duke dëshmuar për fitoren e Krishtit mbi fuqitë e errësirës dhe vdekjes. E tërë gjithësia është larë, restauruar dhe shpëtuar, nëpërmjet hyrjes së Jetës së Botës në vdekjen. Kur procesioni kthehet brenda në Kishë, troparet këndohen përsëri dhe profecia e Ezekielit rreth “kockave të thata” të Izraelit këndohet me solemnitet të madh:
Dhe ju do të më njihni që Unë jam Zoti, kur të hap varret tuaja dhe t’ju bëj të dilni nga varret tuaja, o populli im. Do të shtie tek ju Frymën time dhe ju do të jetoni… (Ezekieli 37:13-14). Pastaj kemi vargjet fitimtarë të psalmeve që i thërrasin Perëndisë të ngrihet, të nxjerrë të djathtën e tij, të shpërndajë armiqtë e tij dhe të gëzojë të drejtin. Vazhdohet me këndimet e përsëritura të Aliluiave, me letrën e Apostull Pavlit drejtuar Korinthianëve: “sepse pashka jonë, që është Krishti, u flijua për ne” (1 Korinthianët 5:7). Pastaj, përsëri këndohet Ungjilli rreth vulosjes së varrit dhe shërbesa mbyllet me ndërmjetësimin dhe bekimin.
Mbrëmësorja dhe Mëngjesorja e Sabatit të Bekuar, e cila vjen pas, formojnë një kryevepër të traditës liturgjike orthodhokse. Këto shërbesa, nuk janë aspak një rivënie dramatike në skenë e vdekjes dhe e varrimit historik të Krishtit dhe as një lloj riprodhimi ritual i skenave të Ungjillit. Por, ato janë më tepër depërtimi më i thellë shpirtëror e liturgjik, në kuptimin e përjetshëm të ngjarjeve shpëtimtare të Krishtit, të parë dhe të lavdëruar tashmë me njohurinë e plotë të rëndësisë dhe fuqisë së tyre hyjnore.
Kisha nuk pretendon sikur nuk e di se çfarë do të ngjasë me Jisuin e kryqëzuar. Ajo nuk dëshpërohet dhe nuk mban zi për Zotin, sikur ajo të mos ishte vetë krijimi i dalë nga brinja e plagosur dhe nga thellësia e varrit të tij. Nëpër tërë shërbesat soditet fitorja e Krishtit dhe shpallet ngjallja. Sepse vetëm në dritën e ngjalljes fitimtare mund të kuptohet me të vërtetë kuptimi i thellë dhe i përjetshëm i pësimit dhe vdekjes së Krishtit, i cili është vlerësuar dhe lavdëruar në mënyrë të përshtatshme. Të Shtunën e Madhe, Mbrëmësorja kryhet së bashku me Meshën Hyjnore të Shën Vasilit të Madh. Shërbesa tashmë i përket të Dielës së Pashkës. Ajo fillon normalisht me psalmin mbrëmësor, litaninë, himnet që pasojnë Psalmin 14 dhe Hyrjen e Madhe me këndimin e himnit mbrëmësor Dritë Gazmore.
Mbas hyrjes që është bërë me Ungjill, këndohen pesëmbëdhjetë pjesë prej Dhiatës së Vjetër, të gjitha të lidhura me veprën e Perëndisë të krijimit dhe shpëtimit, vepër e cila është përmbledhur dhe përmbushur në ardhjen e parashikuar të Mesias. Përveç këndimeve nga Gjeneza, rreth krijimit dhe nga Eksodi, rreth pashkës së Izraelitëve në kohën e Moisiut, kemi gjithashtu pjesë prej profecive të Isaisë, Ezekielit, Jeremisë, Danielit, Sofonisë dhe Jonait; si edhe prej Jisu Naviut dhe Librit të Mbretërve. Këndohen gjithashtu, Kënga e Moisiut dhe e Tre Djemve, që gjendet tek libri i Danielit. Mbas këndimeve nga Dhiata e Vjetër, kremtuesi intonon thirrjen e zakonshme liturgjike për këndimin e Himnit Trishenjtor, por në vend të tij këndohet vargu nga Galatianët: “Sa u pagëzuat me Krishtin, me Krishtin u veshët. Aliluia (Galatianët 3:27).
Si zakonisht, në Meshën Hyjnore bëhet këndimi i Apostullit. Pjesa është po ajo e Pagëzimit në Kishën Orthodhokse (Romanët 6:3-11). Sepse, nëse u bashkuam me Krishtin në një vdekje të ngjashme me të tijën, do të jemi edhe e ringjalljes së tij (Romanët 6:5). Në këtë kohë Dyert e Bukura mbyllen dhe kremtuesit dhe shërbyesit e altarit i ndërrojnë veshjet e tyre nga veshjet e errta të pësimit të Krishtit, në ato të ndritshmet të fitores së Tij mbi vdekjen. Në këtë kohë të gjitha veshjet e mbulesat e Kishës janë ndërruar, gjithashtu, në ngjyra të ndritshme, si shenjë e fitores së Krishtit mbi mëkatin, djallin dhe vdekjen. Kjo riveshje bëhet gjatë kohës që populli këndon vargjet e Psalmit 82: Ngrihu o Perëndi edhe gjykoje dhenë, sepse Ti do i trashëgosh tërë kombet.
Mbas këndimit solemn të vargjeve të psalmit, tek të cilat shtohen shpesh himnet që e lavdërojnë Krishtin si Pashka e Re, Flijimi i Gjallë që është therur, Qengji i Perëndisë, që heq mëkatet e botës; kremtonjësit dalin nga altari për të shpallur mbi varrin e Krishtit sihariqin e gëzuar të triumfit të tij mbi vdekjen dhe porosinë e tij tek apostujt: “Bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë dhe duke i mësuar të ruajnë gjithçka që ju kam porositur juve…” (Mattheu 28:1-20). Ky Ungjill këndohet gjithashtu në Shërbesën e Pagëzimit të Kishës Orthodhokse. Pastaj, Mesha Hyjnore vazhdon me shkëlqimin e shkatërrimit të vdekjes nga Krishti. Himni i mëposhtëm zëvendëson Himnin Keruvik.