NGA LIBRI I JEZEKIELIT 1:1-20.

Në vitin e tridhjetë, më pesë të muajit të katërt, ndodhi që ndërsa isha midis të internuarve pranë lumit Kebar, qiejtë u hapën dhe pata vegime nga ana e Perëndisë. Më pesë të muajit (ishte viti i pestë i robërisë së mbretit Jehojakin), fjala e Zotit iu drejtua shprehimisht priftit Ezekiel, birit të Buzit, në vendin e Kaldeasve, pranë lumit Kebar; dhe atje lart dora e Zotit qe mbi të.

Ndërsa po shkoja, ja ku erdhi nga veriu një erë furtune, një re e madhe me një zjarr që mbështillej rreth vetes së tij; rreth tij dhe nga mesi i tij dilte një shkëlqim i madh si ngjyra e bronzit inkandeshent që ndodhet në mes të zjarrit. Nga mesi i tij dukej ngjashmëria e katër qënieve të gjalla; dhe kjo ishte pamja e tyre: kishin ngjashmërinë e njeriut. Secili prej tyre kishte katër fytyra dhe secili katër krahë. Këmbët e tyre ishin të drejta dhe tabani i këmbës së tyre ishte si ai i tabanit të këmbës së një viçi, dhe shkëlqenin si bronzi me lustër. Në të katër anët, poshtë krahëve, kishin duar njerëzish; dhe që të katër kishin fytyrat e tyre dhe krahët e tyre.

Krahët e tyre preknin njeri tjetrin; duke ecur përpara, nuk ktheheshin prapa, por secili shkonte drejt përpara tij. Sa për pamjen e fytyrave të tyre, të gjithë kishin fytyrë njeriu, që të katër fytyrë luani në të djathtë, që të katër fytyrë kau në të majtë, dhe që të katër fytyrë shqiponjeje. Kështu ishin fytyrat e tyre. Krahët e tyre ishin shtrirë lart; secili kishte dy krahë që preknin njëra tjetrën dhe dy që mbulonin trupin e tyre. Secili shkonte drejt përpara tij; shkonin atje ku fryma donte të shkonte dhe, duke shkuar, nuk silleshin. Sa për pamjen e qënieve të gjalla, këto dukeshin si qymyre të ndezur, si pishtarë. Zjarri lëvizte në mes të qënieve të gjalla; zjarri ishte i ndritshëm dhe prej tij dilnin shkrepëtima. Qëniet e gjalla vraponin përpara dhe prapa, dukeshin si një rrufe.

Ndërsa shikoja qëniet e gjalla, ja një rrotë për tokë pranë qënieve të gjalla me katër fytyrat e tyre. Pamja e rrotave dhe punimi i tyre ishte si pamja e ngjyrës së krizolitit; që të katra i ngjisnin njera tjetrës. Pamja e tyre dhe punimi i tyre si ato të një rrote në mes të një rrote tjetër. Kur lëviznin, shkonin në drejtim të njerit prej katër drejtimeve dhe, duke shkuar nuk silleshin prapa. Sa për rrathet e tyre ishin të lartë dhe të madhërishëm; dhe rrathët e gjithë të katërve ishin plot me sy rreth e qark. Kur lëviznin qëniet e gjalla, edhe rrotat lëviznin pranë tyre dhe, kur qëniet e gjalla ngriheshin nga toka, ngriheshin edhe rrotat. Kudo që fryma donte të shkonte, shkonin edhe ata, sepse aty shkonte fryma; rrotat ngriheshin bashkë me ta, sepse fryma qënieve të gjalla ishte në rrota.

 

* * * * *

NGA LIBRI I EKSODIT 1:1-20.

Këta janë emrat e bijve të Izraelit që erdhën në Egjipt me Jakobin. Secili prej tyre erdhi me familjen e tij: Rubeni, Simeoni, Levi dhe Juda, Isahari, Zabuloni dhe Beniamini, Dani dhe Naftali, Gadi dhe Asheri. Tërë njerëzit që kishin dalë nga gjaku i Jakobit arrinin shtatëdhjetë veta (Jozefi ndodhej tashmë në Egjipt). Pastaj Jozefi vdiq, dhe po ashtu vdiqën tërë vëllezërit e tij dhe gjithë ai brez. Dhe bijtë e Izraelit qenë frytdhënës, u shumëzuan fort dhe u bënë të shumtë, u bënë jashtëzakonisht të fortë; dhe vendi u mbush me ta.

Por tani doli në Egjipt një mbret i ri, që nuk e kishte njohur Jozefin. Ai i tha popullit të tij: “Ja, populli i bijve të Izraelit është më i shumtë dhe më i fortë se ne. Të përdorim, pra, dinakëri ndaj tyre, me qëllim që të mos shumëzohen dhe, në rast lufte të mos bashkohen me armiqtë tanë dhe të luftojnë kundër nesh, dhe pastaj të largohen nga vendi”. Vunë, pra, kryeintendentë të punimeve mbi ta, me qëllim që t’i shtypnin me angaritë e tyre. Kështu ata i ndërtuan Faraonit qytetet depozitë Pitom dhe Raamses. Por sa më tepër i shtypnin, aq më shumë shtoheshin dhe përhapeshin; prandaj Egjiptasit arritën të kenë shumë frikë nga bijtë e Izraelit, dhe Egjiptasit i detyruan bijtë e Izraelit t’u shërbenin me ashpërsi, dhe ua nxinë jetën me një skllavëri të vrazhdë, duke i futur në punimin e argjilës dhe të tullave si dhe në çdo lloj pune në ara. I detyronin t’i bënin tërë këto punë me ashpërsi.

Mbreti i Egjiptit u foli edhe mamive hebre, nga të cilat njëra quhej Shifrah dhe tjetra Puah, dhe u tha: Kur do të ndihmoni gratë hebre lindëse, dhe do t’i shihni të ulura në ndenjësen e lindjes, në rast se fëmija është mashkull, vriteni; po të jetë femër, lëreni të jetojë. Por mamitë patën frikë nga Perëndia dhe nuk bënë ashtu siç i kishte urdhëruar mbreti i Egjiptit, por i lanë gjallë fëmijët meshkuj. Atëherë mbreti i Egjiptit thirri mamitë dhe u tha: “Pse e bëtë këtë dhe i latë gjallë fëmijët meshkuj?”. Mamitë iu përgjigjën Faraonit: “Sepse gratë hebre nuk janë si gratë egjiptase, por janë të fuqishme dhe lindin para se t’u vijë mamia pranë”. Dhe Perëndia u bëri të mirë këtyre mamive; dhe populli u shtua dhe u bë jashtëzakonisht i fortë.

 

* * * * *

NGA LIBRI I JOVIT 1:1-12.

Në vendin e Uzit ishte një njeri i quajtur Jov. Ky njeri ishte i ndershëm dhe i drejtë, kishte frikë nga Perëndia dhe i largohej së keqes. I kishin lindur shtatë bij dhe tri bija. Veç kësaj zotëronte shtatë mijë dele, tre mijë deve, pesëqind pendë qe, pesëqind gomarë dhe një numër shumë të madh shërbëtorësh. Kështu ky njeri ishte më i madhi ndër të gjithë njerëzit e Lindjes. Bijtë e tij kishin zakon të shkonin për banket në shtëpinë e secilit ditën e cakuar; dhe dërgonin të thërrisnin tri motrat e tyre, që të vinin të hanin dhe të pinin bashkë me ta. Kur mbaronte seria e ditëve të banketit, Jovi i thërriste për t’i pastruar; ngrihej herët në mëngjes dhe ofronte olokauste sipas numrit të gjithë atyre, sepse Jovi mendonte: “Ndofta bijtë e mi kanë mëkatuar dhe e kanë blasfemuar Perëndinë në zemrën e tyre”. Kështu bënte Jovi çdo herë.

Një ditë ndodhi që bijtë e Perëndisë shkuan të paraqiten para Zotit, dhe ndër ta shkoi edhe Satanai. Zoti i tha Satanait: “Nga vjen?”. Satanai iu përgjigj Zotit dhe tha: “Nga ecejaket mbi dheun duke e përshkruar lart e poshtë”. Zoti i tha Satanait: “E ke vënë re shërbëtorin tim Jov? Sepse mbi dhe nuk ka asnjë tjetër si ai që të jetë i ndershëm, i drejtë, të ketë frikë nga Perëndia dhe t’i largohet së keqes”. Atëherë Satanai iu përgjigj Zotit dhe tha: “Vallë më kot Jovi ka frikë nga Perëndia? A nuk ke vënë ti një mbrojtje rreth tij, rreth shtëpisë së tij dhe të gjitha gjërave që ai zotëron? Ti ke bekuar veprën e duarve të tij dhe bagëtia e tij është shtuar shumë në vend. Por shtri dorën tënde dhe preki të gjitha ato që ai zotëron dhe ke për të parë po nuk të mallkoi ai haptazi”. Zoti i tha Satanait: “Ja, të gjitha ato që ai zotëron janë në pushtetin tënd, por mos e shtri dorën mbi personin e tij”. Kështu Satanai u largua nga prania e Zotit.

 

* * * * *

NGA UNGJILLI I MATTHEUT 24:3-35.

Edhe ndërsa ai ishte duke ndenjur mbi Malin e Ullinjve, nxënësit iu afruan mënjanë, duke thënë: Thuajna, kur do të bëhen këto? Edhe cila do të jetë shenja e ardhjes tënde dhe e mbarimit të jetës?

Edhe Jisui u përgjigj e u tha: Shikoni se mos ju gënjen juve ndonjë. Sepse shumë veta do të vijnë në emrin tim, duke thënë: Unë jam Krishti, dhe do të gënjejnë shumë njerëz. Edhe do të dëgjoni luftëra e zëra luftërash. Shikoni, mos u turbulloni, sepse të gjitha këto duhet të bëhen; por fundi ende nuk është. Sepse do të ngrihet komb kundër kombi, edhe mbretëri kundër mbretërie; edhe do të ketë zi buke dhe murtaja, edhe tërmete në vende të ndryshme. Por të gjitha këto janë fillimi i dhimbjeve të lindjes. Atëherë do t’ju dorëzojnë juve për shtrëngim, edhe do t’ju vrasin; edhe do të urreheni nga gjithë kombet për emrin tim. Edhe atëherë do të skandalizohen shumë vetë, edhe do të dorëzojnë njëri tjetrin, edhe do të urrejnë njëri tjetrin. Edhe shumë profetë të rremë do të ngrihen edhe do të gënjejnë shumë vetë; Edhe pasi të shumohet paligjshmëria, dashuria e të shumtëve do të ftohet. Po kush të durojë deri në fund, ky do të shpëtojë. Edhe ky ungjill i mbretërisë do të predikohet në tërë botën, për dëshmi mbi gjithë kombet; edhe atëherë do të vijë fundi.

Kur të shihni pra “neverinë e shkretimit”, që është thënë nga profeti Daniel, duke ndenjur në vend të shenjtë, ai që lexon le ta kuptojë. Atëherë ata që janë në Jude le të ikin nëpër male. Kush të gjendet përmbi shtëpi, le të mos zbresë që të marrë gjë nga shtëpia e tij.

Edhe kush të gjendet në arë, le të mos kthehet prapa që të marrë rrobat e tij. Edhe mjerë ato që janë shtatzëna dhe ato që kanë foshnja në gji në ato ditë. Edhe lutuni që të mos bëhet ikja juaj në dimër, as të shtunën. Sepse atëherë do të jetë shtrëngim i madh, i atillë që nuk është bërë që në fillim të botës e deri tani, as nuk do të bëhet. Edhe po të mos shkurtoheshin ato ditë, nuk do të shpëtonte asnjë mish; po ato ditë do të shkurtohen për të zgjedhurit.

Atëherë në ju thëntë juve ndonjëri: Ja tek është këtu Krishti, apo aty, mos besoni. Sepse do të ngrihen krishtër të rremë, edhe profetë të rremë, edhe do të bëjnë shenja të mëdha dhe çudira, kaq sa do të gënjejnë edhe të zgjedhurit, në mundshin. Ja tek jua thashë juve më përpara. Në ju thënçin pra juve: Ja tek është në shkretëtirë, mos dilni. Ja në dhomat e brendshme, mos besoni. Sepse siç del vetëtima nga lind dielli dhe duket deri tek perëndon, kështu do të jetë edhe ardhja e birit të njeriut. Sepse ku të jetë kërma, atje do të mblidhen shqiponjat.

Edhe menjëherë pas shtrëngimit të atyre ditëve, dielli do të erret, edhe hëna nuk do të japë ndriçimin e saj; edhe yjet do të bien nga qielli, edhe fuqitë e qiejve do të tunden. Edhe atëherë do të duket shenja e Birit të njeriut në qiell; edhe atëherë do të bëjnë vajtim gjithë fiset e dheut, edhe do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi e me lavdi shumë. Edhe do të dërgojë engjëjt e tij me trumbetë me zë të madh, edhe do të mbledhin të zgjedhurit e tij nga të katër erërat, prej fundit të anëve të qiejve e deri në fund të anëve të tyre.

Edhe nga fiku mësoni paravolinë: Kur bëhet tashmë dega e tij e butë, edhe nxjerr gjethet, e dini se vera është afër. Kështu edhe ju kur të shihni gjithë këto, ta dini se është afër ndër dyer. Me të vërtetë po ju them juve, ky brez nuk do të shkojë, deri sa të bëhen të gjitha këto. Qielli edhe dheu do të shkojnë, po fjalët e mia nuk do të shkojnë.