Apostulli – Hebrenjve 12:28-13:8.

Prandaj pasi marrim një mbretëri të patundur, le të mbajmë hirin, me anë të të cilit ne mund ti shërbejmë Perëndisë në mënyrë të pëlqyeshme, me nderim e shprestari. Sepse “Perëndia ynë është zjarr që të përpin”.

Dashuria vëllazërore le të mbesë. Mos harroni mikpritjen, sepse me anë të kësaj disa pa e ditur pritën engjëj. Kujtoni të burgosurit, si të burgosur bashkë me ata; ata që heqin keq, si të jeni edhe vetë në trupin e tyre. Martesa le të jetë e ndershme për të gjithë, edhe shtrati i panjollosur, sepse të përdalët edhe kurorëshkelësit do t’i gjykojë Perëndia. Sjelljet tuaja le të jenë pa lakmi argjendi; le t’u jenë mjaft ato që keni tani; sepse ai ka thënë: “Nuk kam për të të lënë, as nuk kam për të hequr dorë prej teje”. Prandaj ne me guxim le të themi: “Zoti është ndihmësi im, edhe nuk do të kem frikë; ç’do të më bëjë njeriu?”.

Kujtoni ata që ju drejtojnë, të cilët ju folën juve fjalën e Perëndisë; besimin e tyre ta keni për shembull, duke pasur përpara syve frytin e sjelljeve të tyre. Krishti është po ai dje dhe sot dhe në jetë të jetëve.