NGA LIBRI I PROFETIT ISAIA 66:10-24.
Gëzohuni me Jeruzalemin dhe ngazëlloni me të, ju të gjithë që e doni. Gëzohuni me të madhe me të, ju të gjithë që mbani zi për të, me qëllim që të pini qumësht dhe të ngopeni në gjirin e përdëllimeve të tij, me qëllim që të pini me bollëk dhe të kënaqeni me mbushullimin e lavdisë së tij.
Sepse kështu thotë Zoti: “Ja, unë do të bëj që paqja t’i arrijë si një lumë dhe pasuria e kombeve si një përrua që vërshon, dhe ju do të pini qumësht, do t’ju mbajnë në ijët e tij dhe do t’ju përkëdhelin mbi gjunjët e tij. Ashtu si një nënë e gëzon fëmijën e saj, kështu unë do t’ju gëzoj dhe do të ngushëlloheni në Jeruzalem. Ju do ta shihni këtë, dhe zemra juaj do të gëzohet, kockat tuaja do të marrin përsëri fuqi si bari i njomë. Dora e Zotit do t’u bëhet e njohur shërbëtorëve të tij dhe do të zemërohet me të madhe kundër armiqve të tij.
Sepse ja, Zoti do të vijë me zjarrin dhe qerret e tij do të jenë si një uragan për të hedhur zemërimin e tij me tërbim dhe kërcënimin e tij me flakë zjarri. Sepse Zoti do të ushtrojë drejtësinë me zjarrin dhe shpatën e tij kundër çdo mishi; dhe të vrarët nga Zoti do të jenë të shumtë. Ata që shenjtërohen dhe pastrohen për të vajtur në kopshtet, prapa një idhulli që gjendet në mes, ata që hanë mish derri, gjëra të neveritshme dhe minj, do të konsumohen të gjithë, thotë Zoti.
Unë i njoh veprat e tyre dhe mendimet e tyre; është duke ardhur koha në të cilën do të mbledh tërë kombet dhe tërë gjuhët; ato do të vijnë dhe do të shikojnë lavdinë time. Unë do të vë një shenjë në mes tyre dhe do të dërgoj disa nga ata që mbijetuan prej tyre te kombet; në Tarshish, në Pul dhe në Lud që përdorin harkun, në Tubal dhe në Javan, në ishujt e largët që nuk kanë dëgjuar famën time dhe nuk kanë parë lavdinë time; këta do të shpallin lavdinë time ndër kombet, dhe do t’i kthejnë tërë vëllezërit tuaj nga të gjitha kombet si një ofertë Zotit, mbi kuaj, mbi qerre, mbi bartina, mbi mushkë dhe mbi dromidarë te mali im i shenjtë i Jeruzalemit”, thotë Zoti, “ashtu si bijtë e Izraelit çojnë një ofertë në një enë të pastër në shtëpinë e Zotit. Do të marrë gjithashtu disa prej tyre si priftërinj dhe si Levitë”, tha Zoti.
Sepse ashtu si qiejtë e rinj dhe toka e re që unë do të bëj do të jenë të qëndrueshëm para meje, thotë Zoti, “kështu do të jenë pasardhësit tuaj dhe emri juaj. Dhe do të ndodhë që nga një hënë e re në tjetrën dhe nga një e shtunë në tjetrën çdo mish do të vijë të bjerë në gjunjë para meje, thotë Zoti. Kur ata do të dalin, do të shikojnë kufomat e njerëzve që u rebeluan kundër meje; sepse krimbi i tyre nuk do të vdesë dhe zjarri i tyre nuk do të shuhet, dhe do të neveriten nga çdo mish.
* * * * *
NGA LIBRI I GJENEZËS 49:33-50:26.
Kur Jakobi mbaroi së dhëni këto urdhëra bijve të tij, mblodhi këmbët në shtrat dhe vdiq; dhe u bashkua me popullin e tij.
Atëherë Jozefi u hodh mbi fytyrën e të atit, qau mbi të dhe e puthi. Pastaj Jozefi urdhëroi mjekët që ishin në shërbim të tij të balsamosnin të atin; dhe mjekët e balsamosën Izraelin. U deshën dyzet ditë, sepse e tillë ishte koha e nevojshme për balsamimin; dhe Egjiptasit e qanë shtatëdhjetë ditë.
Kur kaluan ditët e zisë të mbajtura për të, Jozefi foli në shtëpinë e Faraonit duke thënë: “Në qoftë se kam gjetur hirin tuaj, i thoni Faraonit këto fjalë: Ati im më ka vënë të betohem dhe më ka thënë: “Ja, unë jam duke vdekur; më varros në varrin që kam gërmuar në vendin e Kanaanit”. Tani, pra, më lejo të ngjitem për të varrosur atin tim, pastaj do të kthehem”. Faraoni u përgjigj: “Ngjitu dhe varrose atin tënd ashtu si të ka vënë të betohesh”.
Atëherë Jozefi u ngjit për të varrosur të atin; dhe me të u ngjitën tërë shërbëtorët e Faraonit, të moshuarit e shtëpisë së tij dhe tërë të moshuarit e vendit të Egjiptit, dhe tërë shtëpia e Jozefit, vëllezërit e tij dhe shtëpia e të atit. Në vendin e Goshenit lanë vetëm fëmijët e tyre të vegjël, kopetë me bagëtinë e imët dhe me bagëtinë e trashë. Me të u ngjitën lart gjithashtu qerre dhe kalorës, aq sa u formua një vargan i madh njerëzish. Me të arritur në lëmin e Atadit, që është përtej Jordanit, u dëgjuan vajtime të mëdha dhe solemne; dhe Jozefi mbajti shtatë ditë zi për të atin. Kur banorët e vendit, Kananejtë, panë zinë në lëmin e Atadit, thanë: “Kjo është një zi e madhe për Egjiptasit!”. Prandaj ai vend u quajt Abel Mitsraim dhe ndodhet përtej Jordanit.
Bijtë e tij bënë për të atë që ai i kishte urdhëruar. Bijtë e tij e bartën në vendin e Kanaanit dhe e varrosën në shpellën e fushës së Malkpelahut, përballë Mamres, që Abrahami e kishte blerë bashkë me arën nga Efron Hiteu, si vendvarrim, pronë e tij. Mbasi varrosi të atin, Jozefi u kthye në Egjipt bashkë me vëllezërit e tij dhe me të gjithë ata që ishin ngjitur deri atje për të varrosur atin e tij.
Vëllezërit e Jozefit kur panë se ati i tyre vdiq, thanë: “Mos vallë Jozefi na mban inat dhe merr hak për tërë të keqen që i kemi bërë?”. Atëherë i çuan fjalë Jozefit: “Ati yt para se të vdiste dha këtë porosi duke thënë: Kështu do t’i thoni Jozefit: Falu vëllezërve të tu të keqen që të kanë bërë, mëkatin e tyre, sepse të kanë bërë keq”. Falu, pra, tani krimin shërbëtorëve të Perëndisë të atit tënd”. Jozefi qau kur i folën kështu. Pastaj erdhën edhe vëllezërit e tij dhe u shtrinë para tij, dhe i thanë: “Ja, ne jemi shërbëtorët e tu”. Jozefi u tha atyre: “Mos u trembni, se mos jam unë në vend të Perëndisë?. Ju keni kurdisur të këqija kundër meje, por Perëndia ka dashur që t’i shërbejë së mirës, për të kryer atë që po ndodh sot: të mbash gjallë një popull të shumtë. Tani, pra, mos kini frikë; unë do të siguroj ushqimin për ju dhe për bijtë tuaj”. Kështu u dha zemër dhe i foli zemrës së tyre me ëmbëlsi.
Kështu Jozefi banoi në Egjipt, ai dhe shtëpia e të atit, dhe jetoi njëqind e dhjetë vjet. Jozefi pa bijtë e Efraimit deri në brezninë e tretë; edhe bijtë e Makirit, bir i Manasit, lindën mbi gjunjët e tij. Pastaj Jozefi u tha vëllezërve të tij: “Unë po vdes; por Perëndia do t’ju vizitojë me siguri dhe do t’ju çojë me siguri nga ky vend në vendin që i premtoi me betim Abrahamit, Isakut dhe Jakobit”. Pastaj Jozefi i vuri të betohen bijtë e Izraelit, duke thënë: “Perëndia me siguri do t’ju vizitojë; atëherë ju do t’i hiqni kockat e mia që këtej”. Pastaj Jozefi vdiq në moshën njëqind e dhjetë vjeç; e balsamosën dhe e futën në një arkivol në Egjipt.
* * * * *
NGA LIBRI I FJALËVE TË URTA 31:8-31.
Hape gojën tënde në favor të memecit, në mbrojtje të të gjithë atyre që janë lënë pas dore. Hape gojën tënde, gjyko me drejtësi dhe mbro çështjen e të mjerit dhe të nevojtarit.
Kush do të gjejë një grua të fortë dhe të virtytshme? Vlera e saj është shumë më e madhe nga ajo e margaritarëve. Zemra e burrit të saj ka besim tek ajo, dhe do të ketë gjithnjë fitime. Ajo i bën të mira dhe jo të keqe tërë ditët e jetës së saj. Gjen lesh dhe li dhe punon me gëzim me duart e veta. Ajo u përngjan anijeve të tregëtarëve: e sjell ushqimin e saj nga larg. Çohet që me natë për t’i ndarë ushqimin familjes së saj dhe për t’u dhënë urdhërat e nevojshme shërbëtoreve të saj.
Ajo shikon një arë dhe e ble; me duart e saj mbjell një vresht. Ngjesh me forcë ijët dhe i bën më të fortë krahët e saj. E kupton që tregëtia e saj po shkon mbarë dhe llamba e saj e natës nuk i shuhet. Shtrin dorën mbi furkën, pëllëmbat e saj zënë boshtin. I shtrin dorën të varfërit dhe i jep dorën nevojtarit. Nuk i trembet borës për familjen e saj, sepse tërë ata të shtëpisë së vet kanë një veshje të dyfishtë. Bën për vete mbulesa si sixhade dhe rrobat e saj janë prej liri shumë të hollë dhe të purpurta.
Burri i saj nderohet te porta, kur ulet bashkë me pleqtë e vendit. Përgatit rroba prej liri dhe i shet, i furnizon me breza tregtarët. Forca dhe nderi janë rrobat e saj dhe qesh për ditët që do të vijnë. Hap gojën e saj me dituri dhe mbi gjuhën e saj është ligji i mirësisë.
Ajo mbikqyr si shkon shtëpia e vet dhe nuk ha bukën e përtacisë. Bijtë e saj ngrihen dhe e shpallin fatlume; edhe burri i saj e lëvdon duke thënë: Shumë bija kanë bërë gjëra të mëdha, por ti i kalon të gjitha ato.
Hiri është i rremë dhe bukuria është e kotë, por gruaja që ka frikë nga Zoti është ajo që do të lëvdohet. I jepni frytin e duarve të saj, dhe vet veprat e saj le ta lëvdojnë te portat.