NGA LIBRI I PROFETIT ISAIA 65:8-16.
Kështu thotë Zoti: “Ashtu si thuhet kur gjendet lëng në vilën e rrushit: “Mos e prishni, sepse në të ka një bekim”, kështu do të bëj unë për hir të shërbëtorëve të mi dhe nuk do të shkatërroj çdo gjë. Unë do të nxjerr nga Jakobi pasardhës dhe nga Juda një trashëgimtar të maleve të mia; të zgjedhurit e mi do të zotërojnë vendin dhe shërbëtorët e mi do të banojnë aty.
Sharoni do të bëhet një vathë kopesh dhe lugina e Akorit një vend për çlodhjen e bagëtisë së trashë, për popullin tim që do të më kërkojë. Por ju që braktisni Zotin, që harroni malin tim të shenjtë, që përgatitni një sofër për Gadin dhe mbushni kupën e verës së droguar për Menin, ju caktoj shpatës; do të rrëzoheni të gjithë nga masakra, sepse kur ju thirra nuk dhatë përgjigje, kur ju fola nuk dëgjuat, por keni bërë atë që është e keqe në sytë e mi dhe keni zgjedhur atë që nuk më pëlqen”.
Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: “Ja, shërbëtorët e mi do të hanë, por ju do të keni uri; ja, shërbëtorët e mi do të pinë, por ju do të keni etje; ja, shërbëtorët e mi do të gëzohen, por ju do të jeni të shushatur; ja, shërbëtorët e mi do të këndojnë për gëzimin e zemrës së tyre, por ju do të bërtisni për ankthin e zemrës dhe do të ulërini për vuajtjen e frymës. Ju do ta lini emrin tuaj si mallkim të zgjedhurve të mi. Zoti, Zoti, do të bëjë që ti të vdesësh, por do t’u japë shërbëtorëve të tij një emër tjetër.
Kështu që ai që do të kërkojë për vete një bekim në vend, do ta bëjë për Perëndinë e së vërtetës, dhe ai që do të betohet në vend do të betohet për Perëndinë e së vërtetës, sepse fatkeqësitë e kaluara do të harrohen dhe do t’u fshihen syve të mi”.
* * * * *
NGA LIBRI I GJENEZËS 46:1-7.
Izraeli, pra, u nis me të gjitha ato që kishte dhe, kur arriti në Beer Sheba, i bëri fli Perëndisë të atit të tij Isak. Dhe Perëndia i foli Izraelit në vegime nate dhe tha: “Jakob, Jakob!”. Ai u përgjigj: “Ja ku jam”. Atëherë Perëndia tha: “Unë jam Perëndia, Perëndia i atit tënd; mos ki frikë të zbresësh në Egjipt, sepse aty do të të bëj një komb të madh. Unë do të zbres bashkë me ty në Egjipt dhe do të bëj që sigurisht të kthehesh, dhe Jozefi do të t’i mbyllë sytë”.
Atëherë Jakobi u nis nga Beer Sheba dhe bijtë e Izraelit e hipën Jakobin, atin e tyre, fëmijët e vegjël dhe gratë e tyre mbi qerret që Faraoni kishte dërguar për t’i mbartur. Kështu ata morën me vete bagëtinë dhe sendet që kishin blerë në vendin e Kanaanit dhe erdhën në Egjipt. Është fjala për Jakobin me tërë pasardhësit e tij. Ai mori me vete në Egjipt bijtë e tij, bijtë e bijve të tij, bijat e tij dhe bijat e bijve të tij dhe tërë pasardhësit e tij.
* * * * *
NGA LIBRI I FJALËVE TË URTA 23:15-24:5.
Biri im, nëse zemra jote është e urtë, edhe zemra ime do të ngazëllojë; zemra ime do të ngazëllojë, kur buzët e tua do të thonë gjëra të drejta. Zemra jote mos i pastë zili mëkatarët, por vazhdoftë gjithnjë në frikën e Zotit; sepse ka një të ardhme, dhe shpresa jote nuk do të shkatërrohet.
Dëgjo, biri im, ji i urtë, dhe drejtoje zemrën në rrugën e drejtë. Mos rri me ata që pijnë verë as me grykësit dhe mishngrënësit; sepse pijaneci dhe grykësi do të varfërohen dhe gjumashi do të vishet me lecka. Dëgjo atin tënd që të ka pjellë dhe mos e përçmo nënën tënde kur të jetë plakë. Bli të vërtetën dhe mos e shit, fito dituri, njohuri dhe gjykim.
Babai i të drejtit do të gëzohet shumë; kush ka lindur një të urtë do t’ia ndjejë gëzimin. Le të gëzohet ati yt dhe nëna jote dhe le të gëzohet ajo që të ka lindur. Biri im, më jep zemrën tënde, dhe sytë e tu gjetshin gëzim në rrugët e mia. Sepse e paudha është një gropë e thellë dhe gruaja e tjetërkujt një pus i ngushtë. Edhe ajo rri në pritë si një vjedhës dhe rrit midis njerëzve numrin e atyre që janë jo besnikë. Për cilin janë “ah-ët”, për cilin “obobo-të”? Për cilin grindjet, për cilin vajtimet? Për cilin plagët pa shkak? Për cilin sytë e skuqur?
Për ata që ndalen gjatë pranë verës, për ata që kërkojnë verë të droguar. Mos e shiko verën kur kuqëlon, kur rrëzëllen në kupë dhe shkon poshtë aq lehtë! Në fund ajo kafshon si një gjarpër dhe shpon si një kuçedër. Sytë e tu kanë për të parë gjëra të çuditshme dhe zemra jote do të thotë gjëra të çoroditura. Do të jesh si ai që gjendet në mes të detit, si ai që bie të flerë në majë të direkut të anijes. Do të thuash: “Më kanë rrahur, por nuk më kanë bërë keq; më kanë goditur, por nuk e kam vënë re. Kur të zgjohem, do të kthehem t’i kërkoj përsëri!”.
Mos i ki zili njerëzit e këqij dhe mos dëshiro të rrish me ta, sepse zemra e tyre mendon për grabitje dhe buzët e tyre thonë se do të bëjnë të keqen. Shtëpia ndërtohet me dituri dhe bëhet e qëndrueshme me maturi. Me dijen mbushen dhomat me lloj lloj të mirash të çmueshme dhe të pëlqyeshme. Njeriu i urtë është plot forcë, dhe njeriu që ka dituri e rrit fuqinë e tij.