NGA LIBRI I PROFETIT ISAIA 49:6-10.
Ai thotë: “Është tepër pak që ti të jesh shërbëtori im për të lartuar përsëri fiset e Jakobit dhe për të kthyer ata që kanë shpëtuar nga Izraeli. Të kam vendosur si dritën e kombeve, me qëllim që të jesh Shpëtimi im deri në skajet e tokës”.
Kështu i thotë Zoti, Çliruesi i Izraelit, i Shenjti i tij, atij që përbuzet nga njerëzit, që urrehet nga kombi, shërbëtorit të sundimtarëve: “Mbretërit do të shohin dhe do të ngrihen, princat do të bien përmbys për shkak të Zotit që është besnik të Shenjtit të Izraelit që të ka zgjedhur.
Kështu thotë Zoti: “Në kohën e hirit unë ta kam plotësuar dëshirën dhe në ditën e shpëtimit të kam ndihmuar; do të të ruaj dhe do të të bëj aleancën e popullit, për ta ringjallur vendin, për të të shtënë në dorë trashëgimitë e shkatërruara, për t’u thënë robërve: “Dilni”, dhe atyre që janë në terr: “Shfaquni”. Ata do të kullosin gjatë rrugëve dhe në të gjitha lartësitë e braktisura do të kenë kullotat e tyre. Nuk do të kenë as uri as etje, nuk do të goditen më as nga vapa as nga dielli, sepse ai që ka mëshirë për ta do t’i udhëheqë dhe do t’i çojë te burimet e ujit.
* * * * *
NGA LIBRI I GJENEZËS 31:3-16.
Pastaj Zoti i tha Jakobit: “Kthehu në vendin e etërve të tu dhe te fisi yt, dhe unë do të jem me ty”. Atëherë Jakobi dërgoi e thirri Rakelën dhe Lean, që të vinin në fushat pranë kopesë së tij, dhe u tha atyre: “Unë e shoh që fytyra e atit tuaj ndaj meje nuk është si më parë; por Perëndia i atit tim ka qenë me mua. Dhe ju e dini se unë i kam shërbyer atit tuaj me tërë forcën time, ndërsa ati juaj më ka mashtruar dhe ka ndryshuar pagesën time dhjetë herë, por Perëndia nuk e lejoi të më bëjë të keq.
Në qoftë se ai thoshte: “Krerët laramane do të jenë pagesa jote”, e tërë kopeja pillte qengja laramane; dhe po të thoshte: “Krerët vija vija do të jenë pagesa jote”, tërë kopeja pillte qengja vija vija. Kështu Perëndia ia hoqi bagëtinë atit tuaj dhe ma dha mua.
Një herë, në kohën kur kopetë hynin në afsh, unë ngrita sytë dhe pashë në ëndërr që cjeptë që ndërzenin femrat ishin vija vija, me pulla dhe lara lara. Dhe engjëlli i Perëndisë më tha në ëndërr: “Jakob!”. Unë iu përgjigja: “Ja ku jam!”. Atëherë ai tha: “Ço tani sytë dhe shiko: tërë deshtë që ndërzejnë femrat janë vija vija, me pulla dhe lara-lara, sepse pashë të gjitha ato që të punon Labano. Unë jam Perëndia i Bethelit, ku ti ke vajosur një përmendore dhe më lidhe një kusht.
Tani çohu, lëre këtë vend dhe kthehu në vendlindjen tënde”. Rakela dhe Lea iu përgjigjën dhe i thanë: “Mos kemi ndoshta ne akoma pjesë dhe trashëgimi në shtëpinë e atit tonë? A nuk na ke trajtuar si të huaja për arsye se na ka shitur dhe veç kësaj ka ngrënë edhe paratë tona? Të gjitha pasuritë që Perëndia i hoqi atit tonë janë tonat dhe të bijve tanë; prandaj bëj të gjitha ato që Perëndia të ka thënë”.
* * * * *
NGA LIBRI I FJALËVE TË URTA 21:3-21.
Të zbatosh drejtësinë dhe paanësinë është një gjë që i pëlqen Zotit më shumë se flijimi. Sytë krenarë dhe një zemër kryelartë, që janë llamba e të pabesëve, janë mëkat. Synimet e njeriut të kujdesshëm çojnë me siguri në bollëk, por ai që ngutet do të bjerë me siguri në varfëri. Të përfitosh thesare me një gjuhë gënjeshtare është një kotësi kalimtare e atij që kërkon vdekjen.
Dhuna e të pabesëve merr tutje, sepse ata nuk pranojnë të zbatojnë drejtësinë. Rruga e njeriut të fajshëm është dredha dredha, por njeriu i drejtë vepron ndershmërisht. Është më mirë të banosh mbi qoshen e një çatie se sa në një shtëpi bashkë me një grua grindavece. Shpirti i të pabesit dëshiron të keqen; as shoku i tij nuk gjen mëshirë në sytë e tij.
Kur tallësi ndëshkohet, i thjeshti bëhet i urtë; por kur i urti mësohet ai fiton dije. I drejti vëren me kujdes shtëpinë e të pabesit dhe përmbys të pabesët, sepse janë të këqij. Kush mbyll veshin ndaj britmës së të varfërit, do të bërtasë edhe ai, por nuk do të ketë përgjigje.
Një dhuratë që bëhet fshehtas e fashit zemërimin dhe një dhuratë që jepet nën dorë qetëson zemërimin e fortë. Të bësh atë që është e drejtë është një gëzim për të drejtin, por është një rrënim për ata që kryejnë paudhësi. Njeriu që largohet nga rruga e maturisë ka për të banuar në kuvendin e të vdekurve. Ai që i do qejfet do të jetë në varfëri, ai që e do verën dhe vajin nuk do të pasurohet.
I pabesi do t’i shërbejë si shpërblim të drejtit; dhe i paudhi në vend të njerëzve të drejtë. Është më mirë të banosh në një shkretëtirë se sa me një grua grindavece dhe ngacmuese. Në shtëpinë e të urtit ka një thesar të çmuar dhe vaj, por njeriu budalla i bën të gjitha rrush e kumbulla.
Kush ndjek drejtësinë dhe dhembshurinë ka për të gjetur jetën, drejtësinë dhe lavdinë.